Një banor në rrethin e Librazhdit ka ngritur një minihidrocentral. Të gjithë bëjnë çudi, por ai është i kënaqur me investimin dhe djersën që ka derdhur.

Teksa mësohet ky fakt , një sërë pyetjesh dalin vetvetiu. E ngriti se nuk kishte drita?!  E ngriti për karshillëk ndaj shtetit ?! Apo , për të dhënë shembullin i pari në fshat përsa i përket shfrytëzimit të ujit? Sidoqoftë, përgjigjen le ta japë kushdo e si të duan.

E rëndësishme mbetet që është një iniciativë e lirë dhe me rendiment.

50 vjeçari, B.H banon në fshatin Gizavesh, rreth 20 kilometra në verilindje të Librazhdit. Fare pranë shtëpisë së tij, kalon përroi i fshatit. Ai nuk shteron kurrë gjatë dimrit.

Rrjedh që nga maja e malit të Shebenikut. Ndaj dhe 50- vjeçari ka menduar që të shfrytëzojë fuqinë e ujit për energji elektrike. Hidroçentrali është fare i vogël. Plotëson vetëm për nevojat e një familjeje. Nuk ka turbinë. Vetëm një dinamo, rrotullimet e së cilës japin energji elektrike.

Ai furnizon llambat e ndriçimit dhe të gjitha pajisjet e tjera elektroshtëpiake. Sidoqfotë,  hidrocentrali mbetet funksional vetëm për gjashtë muaj në vit. Kur shteron uji i përroit, helikat e tij nuk rrotullohen dot. Kësisoj, ai gjashtë muaj vetëfurnizohet me energji elektrike. Gjashtë muaj lidhet me rrjetin.

Fqinjët janë habitur dhe kanë shtuar vizitat në familjen e tij. Mbetet i pari në fshat, që “elektrifikoi” shtëpinë e tij me dy dhoma e një kuzhinë.