Nga Ervis Iljazaj

Si është e mundur që një Kryeprokuror i një vendi fare të parëndësishëm si Shqipëria, të denoncojë një ambasador të Shteteve të Bashkuara, pikërisht në Kongresin i cili i ka dhënë besimin për ta përfaqësuar politikën e jashtme të saj?

 

Aq më tepër kur e bën këtë me naivitetin më të madh, se Kongresi amerikan do besojë atë dhe jo ambasadorin e tij, për punën e të cilit merr informacione nga FBI dhe jo nga Adriatik Llalla?

Ka vetëm një përgjigje në këtë rast, është paaftësia e krerëve të institucioneve shqiptare për të kuptuar se si funksion politika e jashtme amerikane. Dhe, në këtë rast, injoranca e një Kryeprokurori kalon përtej çdo limiti. Pa hyrë në detaje nëse Donald Lu i ka kërkuar vërtet Adriatik Llallës arrestimin e Iliri Metës apo jo, letra poshtë derës të Kongresit e Llallës për ambasadorin amerikan në Shqipëri, është një absurditet që kalon çdo kufi të mendimit politik.

Po të shtosh këtu përmbajtjen e letrës së Llallës, që ishte katastrofë në të gjitha aspektet, atëherë gabimi i Llallës është fatal. Në një pjesë të letrës së tij drejtuar Kongresit amerikan, Adriatik Llalla denonconte ambasadorin Lu se nuk kishte thënë asnjë fjalë për kanabisin në Shqipëri apo citonte gazeta ndërkombëtare që kanë raportuar për problemin e narkotrafikut.

Kush e bën këtë denoncim?

Ai që kishte për detyrë të luftonte dhe të çonte para drejtësisë të gjithë përgjegjësit e kanabisit, dhe, që gjatë gjithë kohës që drejtoi Prokurorinë shqiptare, nuk hapi as edhe një hetim të vetëm në këtë drejtim. Edhe hetimi ndaj Saimir Tahirit, erdhi pasojë e prokurorisë italiane dhe jo të asaj shqiptare.

Prandaj, e gjithë letra e Llallës në Kongresin Amerikan, është një letër e cila turpëron në mënyrë të bujshme Shqipërinë dhe shqiptarët, kryesisht krerët e institucioneve më të rëndësishme të saj, siç është Kryeprokuroria.