Leksione morali me Aruba në sfond

Nga Migena Aleksi
Megalomania e të krahasuarit të një projekti privat turistik me Pavarësinë e 1912-ës. Nga Saliu te Edi, historia e njëjtë e shantazhit ‘Ose unë, ose kaosi’
Kryeministri Edi Rama ka reaguar sot sërish me të njëjtën përpjekje për të asgjësuar moralisht dhe politikisht protestën, pa përdorur dhunën e policisë, por dhunën e gjuhës.
Kur thotë se “flamingot nuk pranojnë të dëgjojnë faktet” dhe se janë bërë “vegla të sorrave”, Rama përdor një fyerje të rëndë të kamufluar si këshillë prindërore. Ai supozon se dhjetëra mijëra qytetarë, studentë të Gjeneratës Z dhe intelektualë, nuk kanë tru të mendojnë vetë. Sipas tij, ata janë qenie pa busull, që u mjafton t’u dëgjosh një teori konspirative ose t’u japësh një pankartë dhe nisen symbyllur drejt “ferrit”.
Duke e shpallur veten si të vetmin zotërues të “arsyes” dhe “ekspertizës”, ai e mbyll derën për debat real. Për Ramën, “dialogu” do të thotë që qytetarët të ulen në tryezë për të dëgjuar ligjëratën e tij se pse projekti është i mirë, jo për të negociuar anulimin e tij.
Kur thotë se “sorrat dhe korbat” luajnë të njëjtin rol sabotues që nga 1912-ta, Rama bën një kërcim megaloman. Ai e barazon qeverinë e tij me vetë ekzistencën e shtetit shqiptar. Sipas kësaj logjike, kushdo që kundërshton një projekt privat turistik në Pishë Poro, nuk është thjesht një qytetar që mbron mjedisin, por është pasardhës i “tradhtarëve historikë” që duan të marrin peng Shqipërinë që nga shpallja e Pavarësisë.
“Do të përfundoni në fashizëm/anarki” – thotë KM-ja. Krahasimi i protestës me zhvillimet historike që përfunduan në “intolerancë, fanatizëm apo shkatërrim” është një shantazh i pastër emocional ndaj shtresës së mesme dhe intelektualëve.
Rama po u thotë qytetarëve paqësorë: “Nëse vazhdoni të kërkoni rrëzimin tim apo anulimin e projektit pa më dëgjuar mua, ju po shtroni rrugën drejt ferrit (anarkisë ose diktaturës së sorrave)”. Është e njëjta taktikë që ka përdorur në çdo krizë: “Ose unë, ose kaosi.” E kemi dëgjuar më parë nga Saliu kur ishte afër fundit.
Ajo që e bën krejt këtë ligjëratë mbi “faktet” dhe “arsyen” të dështojë mjerisht, është përplasja e saj me realitetin e zymtë të hetimeve të SPAK-ut.
Ndërsa Rama u mban leksione morali “flamingove” për rrugën drejt ferrit, dosjet e prokurorisë speciale po tregojnë se rruga e vërtetë e ferrit për shoqërinë shqiptare po shtrohet me paratë e pista të drogës dhe krimit të organizuar, të cilat kanë gjetur strehë pikërisht pas këtyre projekteve të mëdha të “turizmit luksoz”.
Kjo po paguhet me një kosto të tmerrshme kriminalizimi për mbarë shoqërinë dhe nuk ka asnjë lidhje me ekspertizën apo zhvillimin ekonomik që predikon Kryeministri.
Kur pastrimi i parave të kartelave të drogës kthehet në motorin kryesor të betonizimit të kryeqytetit, bregdetit dhe së fundi zonave të mbrojtura, fjalimet e Ramës nuk janë gjë tjetër veçse një përpjekje cinike për të ambalazhuar pastrimin e produkteve të krimit. Leksione morali me Aruban në sfond.
