Kush është zyrtari i lartë afër kryeministrit Rama që ka marrë pjesë në takimin e Arubës?

Nga Orgen Peci
Për vite me radhë, takimi në ishullin e largët të Karaibeve, Aruba, mbajti statusin e një dëshmie misterioze në dosjet sekrete të policive evropiane.
Sot, ky episod nuk është më një thashethem korridoresh. Ai është kthyer në nyjën kryesore të një hetimi të madh të Strukturës së Posaçme Antikorrupsion (SPAK), e cila ka zbritur në terren duke goditur një rrjet të fuqishëm të trafikut ndërkombëtar të kokainës dhe pastrimit të parave në resorte luksoze në jug të vendit.
Por ndërsa emrat e eksponentëve të krimit dhe biznesmenëve të përfshirë po zbardhen dita-ditës nga bastisjet dhe sekuestrot e SPAK, pyetja që rri pezull mbi opinionin publik mbetet e njëjta: Cili është funksionari i lartë shtetëror që u ul në të njëjtën tryezë me bosët e kokainës në Aruba?
Çfarë zbuluan përgjimet e huaja?
Fillimet e këtij skandali zënë vend në raportet e Drejtorisë Investigative të Antimafias (DIA) në Itali. Gazetari investigativ italian, Nello Trocchia, i cili ka hulumtuar gjatë mbi këtë dosje, ka deklaruar publikisht se të dhënat për këtë takim janë të pakundërshtueshme dhe bazohen në përgjime telefonike dhe ambientale të kryera nga autoritetet evropiane.
Sipas këtyre të dhënave, takimi ka ndodhur rreth vitit 2019 në Aruba. Në atë tryezë, ku ishin të pranishëm krerë të narkotrafikut (përfshirë emra të lidhur me eksponentë të njohur si Artur Shehu apo profile të hetuara për trafikimin e sasisë prej dhjetëra tonëve kokainë), kanë marrë pjesë edhe “eksponentë nga qeveria shqiptare”.
Sipas të dhënave të inteligjencës policore evropiane, në këtë takim nuk flitej vetëm për rrugët e drogës nga Amerika Latine, por specifikisht për ndërtime dhe investime madhore në Shqipëri.
Konfirmimi nga dosja e SPAK: Ndryshimi i zonave në bregdet
Sipas materialeve investigative të bëra publike nga mediat shqiptare (si WebLajm dhe SkyWeb), ekzistenca e takimit të Arubës është shkruar tashmë e zezë mbi të bardhë në dosjen e prokurorëve të SPAK, Altin Dumani dhe Elida Kaçkini.
Dokumentet e survejimit të autoriteteve belge, spanjolle dhe holandeze tregojnë se funksionarët publikë shqiptarë kanë hyrë në tratativa me grupet kriminale për t’u garantuar atyre lehtësi të jashtëzakonshme në Shqipëri.
Konkretisht, dyshohet se zyrtarët kanë ndihmuar këto grupe për heqjen e statuseve të zonave të mbrojtura dhe zonave të gjelbra në bregdetin e jugut (Himarë, Dhërmi, Palasë, Vlorë) si dhe në zona të tjera si Tiranë, Durrës e Qerret.
Si dhe garantimin e lejeve të ndërtimit për resorte luksoze dhe kulla, duke shërbyer si mburojë institucionale për pastrimin e miliona eurove të gjeneruara nga trafiku i drogës.
Kush fshihet pas?
Pavarësisht se SPAK ka ekzekutuar urdhër-arreste për kokë të rëndësishme të trafikut (si rrjeti i Eldi Dizdarit dhe Dritan Gjikës) dhe ka bastisur zyra biznesmenësh të njohur në Tiranë, emri ose emrat e saktë të zyrtarëve të lartë mbeten të mbrojtur nën fshehtësinë hetimore, ose nën një kod heshtjeje tip “Omerta”
Jamë hedhur akuza të drejtpërdrejta duke deklaruar se dosja e ardhur nga hetuesit e huaj është e plotë dhe se në Aruba ka udhëtuar një njeri shumë afër kryeministrit Rama. Emri më i përfolur është ai i Engjëll Agaçit. Por jo vetëm. Disa burime jozyrtare flasin për praninë e dy personave.
Me logjikë, asnjë qeveritar nuk mund të merrte guximin të fluturonte drejt Arubës për të firmosur marrëveshje me mafien pa autorizimin e kreut të qeverisë.
Nga ana tjetër, referuar përgjimeve ku flitet me kode apo përshkrime fizike (p.sh. përmendet epiteti “i gjati”), ka këmbëngulje edhe brenda Komisionit të Ligjeve në Kuvend që të thirren me urgjencë drejtuesit e SPAK për të nxjerrë emrat zyrtarë përpara publikut.
Sfida e SPAK përballë “dosjes së shekullit”
Takimi i Arubës nuk është më një histori ekzotike e Karaibeve, por një udhëkryq ku ndahet fati i besueshmërisë së reformës në drejtësi në Shqipëri.
Nëse hetimi do të ndalet vetëm te sekuestrimi i hoteleve me 5 yje në Jalë apo prangosja e biznesmenëve të lidhur me Sky ECC, pa prekur zyrtarët e lartë që firmosën lejet e ndërtimit mbi zonat e gjelbra, “takimi i Arubës” do të mbetet dëshmia e gjallë e një shteti ku ligjin e bën krimineli dhe e vulos zyrtari.
Ditët në vijim pritet të jenë vendimtare, pasi SPAK ka njoftuar se do të marrë në pyetje një sërë zyrtarësh publikë për të verifikuar procedurat e ndjekura në zonat më të lakmueshme të bregdetit shqiptar, përfshirë sigurisht projektin që ka nxjerrë në shesh mijëra protestues prej 18 ditësh.
