19 Prill 2026

Presidentja e Bankës Qendrore Evropiane (BQE), Christine Lagarde paralajmëroi sot për rreziqet inflacioniste që vijnë nga lufta në Lindjen e Mesme, në konferencën e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), në Uashington.

Deklarata e saj erdhi përpara se presidenti i SHBA-së, Donald Trump dhe ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi të njoftonin në deklarata të ndara – se Irani ka pranuar të heqë bllokadën e Ngushticës së Hormuzit, ndërsa Trump tha se bllokada detare amerikane ndaj anijeve iraniane do të mbetej në fuqi.

Lajmi shkaktoi një rënie të ndjeshme të çmimeve të naftës, megjithëse mbetet e paqartë se ku do të stabilizohen ato – dhe për sa kohë do të zgjasë rihapja e ngushticës.

Presidentja e BQE-së tha se lufta do të ketë një ndikim të rëndësishëm afatshkurtër në inflacion përmes rritjes së çmimeve të energjisë, por pasojat afatmesme do të varen nga intensiteti dhe kohëzgjatja e konfliktit.

“Lufta në Lindjen e Mesme e ka bërë ndjeshëm më të pasigurt perspektivën, duke krijuar rreziqe rritëse për inflacionin dhe rreziqe ulëse për rritjen ekonomike”, tha ajo.

Rritja e çmimeve të naftës e lidhur me luftën në Iran ka rritur ndjeshëm inflacionin në eurozonë.

“Në mars, çmimet e konsumit u rritën me 2, 6% në baza vjetore”, raportoi “Eurostat”.

Kjo do të thotë se inflacioni në zonën e monedhës është në nivelin më të lartë që nga korriku 2024 dhe objektivi i BQE-së prej 2% është tejkaluar qartë në afat të shkurtër.

Në shkurt, inflacioni kishte ishte ende në 1,9%.

Në tregjet financiare, janë rritur pritshmëritë që BQE-ja të rrisë normat bazë të interesit gjatë vitit.

Së fundmi, ato kanë mbetur të pandryshuara në 2%.

“BQE-ja do të ishte e gatshme të vepronte nëse do të ishte e nevojshme”, tha Lagarde.