Xhemal Naipi

Vendlindja: Shkodër. Teolog, Kadi

Vënd Vdekja: Burgu i Burrelit.

Teolog, kadi, myfti, drejtor i përgjithshëm i Vakfeve (1916), senator, Kryetar i Këshillit Kombëtar (1920), deputet, Kryetar i Lëvizjes së Legalitetit (1943). Lindi në Shkodër, më 1 mars të vitit 1889. Arsimin fillor e të mesëm e kreu në qytetin e lindjes, kurse studimet e larta për teologji e jurisprudencë në Stamboll. Pas përfundimit të studimeve, shërbeu si kadi në Shkodër. Më 1916 u zgjodh drejtor i përgjithshëm i Vakfeve.

   

Nga 27 marsi deri më 25 maj 1920 (sesioni i parë) ushtroi funksionet e Kryetarit të Këshillit Kombëtar (Senatit), që doli nga Kongresi i Lushnjës. Gjatë kohës së Mbretërisë, u zgjodh deputet i Shkodrës në Legjislaturën III (10 shkurt 1937-prill 1939). Me filliminin e luftës, u internua si anti-italian në Ceresara të Mantovës, ku u mbajt deri më 1942. Pas kthimit, u përfshi në çetat legaliste. Në nëtor 1943, në mbledhjen e Zall Herrit, u zgjodh Kryetar i Lëvizjes së Legalitetit. Pas marrjes së pushtetit nga komunistët, qëndroi i fshehur gjer më 1946. Gjatë viteve 1945-1946, iu konfiskua pasuria, kurse familja iu internua në Berat. U dorëzua me shpalljen e amnistisë. U arrestua më 7 tetor 1946, dhe me vendim nr. 218, datë 23 qershor 1947, Gjykata Ushtarake e Shkodrës e deklaroi fajtor për “pjesëmarrje në organizatë e cila ushtronte aktivitet kundër pushtetit popullor» dhe për “agjitacion e propagandë kundër pushtetit”, dhe e dënoi me burgim të përjetshëm me punë të detyruar, humbjen e të drejtave civile-politike për jetë dhe konfiskimin e pasurisë së tundshme e të patundshme.

Njohu shumë prej kampeve të punës së detyruar në të gjithë vendin. Vdiq në vitin 1955, në burgun e Burrelit.

Nga: Kastrit Kruja