Marcello Mastroianni

14 Shtator 2026

Në Festivalin e 50-të Ndërkombëtar të Filmit në Venecia, Marcello Mastroianni i shtonte një tjetër vlerësim të rëndësishëm karrierës së tij, duke u nderuar me Kupën Volpi për aktorin më të mirë jo protagonist.

Mastroianni u vlerësua për interpretimin në filmin “Uno, due, tre, stella” të regjisorit Bertrand Blier, ku luan Constantin, një personazh alkoolist, poetik dhe ekscentrik, që bëhet një figurë e rëndësishme në jetën e të resë Victorine, interpretuar nga Anouk Grinberg.

Por momenti i ndarjes së çmimit tregoi edhe një herë anën e tij karakteristike: aftësinë për ta shoqëruar madhështinë me humor dhe ironi.

“Aktori jo protagonist… të dalësh i pari mes jo protagonistëve, më duket kompliment”, u shpreh Mastroianni, duke e pritur me lehtësi një tjetër vlerësim në një karrierë të jashtëzakonshme.

RETROSPEKTIVË/ Kur Mastroianni shkëlqente në Venecia

Çmimi i vitit 1993 vinte pas një serie të gjatë suksesesh në Venecia. Në vitin 1989, Mastroianni kishte fituar Kupën Volpi për aktorin më të mirë protagonist për interpretimin në “Che ora è?” të Ettore Scolës, ndërsa një vit më pas, në 1990, ishte nderuar me Luanin e Artë për karrierën.

Retrospektiva e këtij momenti nga Venecia sjell në vëmendje jo vetëm një tjetër çmim të Mastroiannit, por edhe mënyrën e veçantë me të cilën ai e përjetonte profesionin: larg solemnitetit të yllit, me elegancë, kuriozitet dhe një dozë të pandashme ironie.

Një Mastroianni i viteve ’90, ende duke luajtur me të njëjtën lehtësi me të cilën kishte ndërtuar një prej karrierave më të rëndësishme të kinemasë italiane.