Ku është fshehur ministri i Emigrantëve, Shkëlqësia e tij, Pandeli Majko? –

– 27 Dhjetor, 2018

Emigrantët shqiptarë, të cilët punojnë e jetojnë nëpër vende të ndryshme të botës kanë ardhur shumica e tyre si dhe po mbërrijnë plot të tjerë në Atdhe. Ata kanë vite jashtë Shqipërisë dhe larg familjeve të tyre nga ku morën udhën pa ndalim në kërkim të një jete të re.

Afro 40 % e popullsisë së regjistruar ka emigruar ekonomikisht, sepse Shqipëria, për shkak të politikës së keqe e jo qytetare, nuk sjell shumë garanci për investime dhe jetesë. Natyrisht që vendi ynë ka evoluar, për të qenë korrekt me fjalën dhe të vertetën, por jo siç duhet e siç shpresojnë emigrantët tanë, të cilët jetojnë në shtete demokratike.

Nisur nga të drejtat e tyre si emigrantë për tubime, ata në emër të kryetarit të një shoqate emigrantësh me emrin Genc Sejko janë drejtuar policisë për leje grumbullimi para kryeministrisë për të shprehur kërkesat e tyre legjitime. Nesër e premte, ata duan të protestojnë para kryeministrisë. Ata, si shqiptarët e tjerë protestojnë për një shtet ligjor si dhe për drejtat e tyre si emigrantë. Për tu interesuar, mbrojtur dhe integruar emigrantët shqiptarë ka edhe një ministër Emigracioni ose Diaspore, siç e emërtojnë. Ai quhet Pandeli Majko.

Por policia, natyrisht me urdhër nga lart, ku vetëm një njeri mbreteron në vend, Edi Rama, ka dhënë urdhër që nuk lejohet tubimi i emigrantëve shqiptarë në Tiranë. Emigrantët nuk duan rrëmujë, ata duan thjesht të shprehin kërkesat e tyre si dhe dëshirën për një Shqipëri me të begatë. Eshtë gjëja më normale që mund t’iu lejohet, aq me tepër  se emigrantët po mbajnë dhjetra e qindra mijë familje me bukë e mirëqënie, sepse këtu akoma nuk janë krijuar kushtet të jetosh në normalitet. Themi për shumicën e popullsisë e jo për një masë diku tek 2 % e popullsisë që jeton në luks.

Ndaj mos lejimi i emigrantëve në një tubim korrekt, siç kanë kërkuar, tregon se pushteti nuk ndjehet rehat prej tyre, se korrupsioni i trazon, se janë zhytur deri në grykë me para të pista, se nga protesta e tyre kanë frikë që mos zgjohet populli  i cili ka rënë në gjumë, por që realisht studentët e shkundën popullin dhe futën në panik kryeministrin.

Të gjitha këto e kanë bërë pushtetin t’iu thotë “JO” protestës së tyre si emigrantë. Por një pyetje vjen për ministrin e Emigrantëve, zotin Pandeli Majko, i cili nga njëra anë pret skutave për tu bërë kryeministër sapo Ramës ti rrëshqasë këmba në humnerë, kurse nga ana tjetër struket dhe nuk del krah emigrantëve për të cilët paguhet si ministër.