Kryetari i PD-se Sali Berisha

14 Qershor 2022

Kryetari I PD-se Sali Berisha bëri thirrje që të gjithë bashkë, të ngrihen për të rrëzuar regjimin, që ai e quan monist. Gjatë fjalës së tij në një tryezë me mjekë, Sali Berisha tha se veprimi i fundit i qeverisë, që mori edhe Presidentin është një kushtrim i fortë.

Duhet të merren vendime u shpreh ish-kryeministri, pasi po bien sirenat e një drame të madhe për shqiptarët.

Sipas tij, edhe pse kjo qeveri duket e fuqishme, është e kalbur, pasi gjithçka e bazojnë tek vjedhja.

“Duhet të marrim vendime vetë me njëri tjetrin. Po bien sirenat e një drame të madhe për shqiptarët. Ju jeni dëshmitarë sesi po shpërbehemi dhe kurrë nuk meritojmë një gjë të tillë. Ndaj dhe kam besim të madh se përkushtimi juaj ndaj profesionit, humanizmi juaj, djersa që keni derdhur do të jenë një apel, të bashkojmë të gjitha forcat.

Të bëjmë gjithçka për të dalë nga kjo diktaturë e vërtetë. Kjo diktaturë e vërtetë në kuptimin e një pushteti absolut. Sot kjo parti është parti shtet njëlloj siç ka qenë para shkurtit 1991. Se në shkurt Ramiz Alia krijoi një këshill presidencial që përfshiu edhe të tjerë. Sot nuk ka asnjë drejtues që të mos jetë i PS. Nuk ka ndodhur kurrë!

Së fundmi mori edhe presidentin. Ky është një kushtrim për ne. Kjo erdhi në vazhdimësi, por arriti deri këtu. Detyra jonë është të ngrihemi. Aq sa duket i fuqishëm ky regjim, aq është edhe i kalbur. Këta vjedhin dhe vetëm vjedhin. Shpresoj tek ju dhe bashkërisht do bëjmë gjithçka për të ndërruar këtë qeveri, këtë sistem. Është sistem monist”, tha Berisha.