Krijohet njësia e përbashkët policore SHBA-Shqipëri. Ambasada amerikane tregon se çfarë synon ajo

9 tetor 2020

Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara kanë nënshkruar një marrëveshje për të themeluar zyrtarisht një njësi të përbashkët Policore SHBA-Shqipëri.

Sipas njoftimit, kjo njësi do të luftojë mashtrimet me vizat, pasaportat dhe dokumentet e tjera të udhëtimit.

Hetuesit me përvojë në Policinë e Shtetit që do të punojnë në njësi, do të marrë paga nga ambasada amerikane si dhe pajisje logjistike.

Njoftimi:

Sot, Shefja e Zyrës Rajonale të Sigurisë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara Karen Rilew dhe Drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu nënshkruan një Marrëveshje Mirëkuptimi për të themeluar zyrtarisht Njësinë e Përbashkët Policore SHBA-Shqipëri, e cila do të luftojë mashtrimet me vizat, pasaportat dhe dokumentet e tjera të udhëtimit, si dhe do të hetojë krime në interesin e përbashkët. Kjo njësi, e përbërë nga hetues me përvojë nga Policia e Shtetit, do të punojë ngushtë me Zyrën Rajonale të Sigurisë së Ambasadës, dhe do të marrë rroga, pajisje teknike dhe hetimi, automjete, kompjutera, telefonë, dhe pajisje të tjera komunikimi, trajnim dhe mbështetje të tjera nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë.  Qeveria e Shteteve të Bashkuara është e përkushtuar në luftën kundër korrupsionit dhe respektimin e sundimit të ligjit në mbarë botën. Lufta kundër korrupsionit është prioritet i punës së Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë.

Gazeta Panorama