30 Dhjetor 2022

Analisti Preç Zogaj ka komentuar disa prej ngjarjeve kryesore të politikës gjatë vitit 2022, ku një prej çështjeve ishte kriza ekonomike në Shqipëri. Sipas tij, janë një sërë elementësh që kanë ndikuar në këtë krizë, ku më kryesorja është lufta në Ukraine

Në një intervistë për News24, Zogaj tha se qytetarëve u është lënë e gjithë barra për përballimin e shpenzimeve. Zogaj u shpreh se buxheti i shtetit ka mbledhur më shumë të ardhura për shkak të rritjes së çmimeve, por kompensimi nga qeveria për qytetarët ka qenë me pikatore.

“Pasoja numër një në vendin tonë ka qenë tronditja e çmimeve. Njerëzit e dinë se historia e çmimeve në Shqipëri në thelb është e lidhur me pasojat e luftës. Këtu në Shqipëri ka pasur edhe elementë të qeverisjes vendore, nëse në botë qeveritë kanë pasur përparësi zbutjen e efekteve të krizës globale duke ndihmuar familjet, popullsinë në tërësi, këtu kjo nuk ka ndodhur. Gjithë barrën e krizës e ka mbajtur në kurriz konsumatori dhe duhet nënvizuar se rritja e çmimit të karburantit ka sjellë shumë të ardhura në buxhetin e shtetit.

Tani po jepen ndihma, janë edhe ndihma që lidhen me Vitin e ri sesa me lehtësimin e jetesës së përditshme të individëve. Shtetet fqinje kanë pasur elemente lehtësuese herë pas here. E kanë gjetur tani këtu, që njerëzit e gjejnë vetë zgjidhjen, ne edhe në pandemi kemi dhënë më pak se të gjithë ndihma për qytetarët.

Është një raport i vjetër i qeverive në Shqipëri me publikun… sepse ata gjithnjë e mendojnë në kuptimin cinik të fjalës, e mendojnë si aleat të tyre durimin dhe krenarinë e publikut që nuk e lejnë veten të poshtërohen nëse shteti nuk i ndihmon.

Rast më flagrant se rritja shumë e madhe e të ardhurave në buxhet për shkak të çmimeve që qytetarët kanë paguar taksa, në vend që t’u kthehet e plotë, u kthehet me pikatore. Maxhoranca në mandatin e tretë është në inerci të të dytit, duke mos u shqetësuar shumë, është në krizën e komoditetit, që është dhe më e rrezikshme se kriza e përballjes.

Kur mendon se nuk të trazon njeri, se kundërshtarët e tu nuk u ka peshë fjala, qeveria është në krizën e komoditetit dhe të thellojë papërgjegjshmërinë e saj. Ajo që spikat është korrupsioni i përhapur në të gjitha degët e ekzekutivit”, tha ai.

Sa i përket situatës së opozitës ai tha se është përballur me shumë probleme, dhe se duhet dhe ka përgjegjësinë para qytetarëve që ta zgjidhë.

“Nuk shoh të jetë viti i opozitës, viti i problemeve të opozitës po. Opozita sot është e përçarë, ka tri opozita dhe të trija së bashku janë akoma më të vogla sesa opozita e 25 prillit të 2021. Opozita ka probleme që duhet dhe ka përgjegjësi para vendit për t’i zgjidhur”, deklaroi Zogaj.

Zogaj komentoi edhe zgjedhjen e kryetarit të ri të SPAK, Altin Dumani.

“Zgjedhja e dumanit është një sinjal që shton besimin tim tek SPAK. U zgjodh në rrethana specifike, në një përpjekje të hapur të qeverisë dhe kryeministrit për të orientuar zgjedhjen e kreut të SPAK, për arsye që lidhen me kontrollin e tij.

Në përfundim SPAK zgjodhi me votë Dumanin i cili gëzon reputacion pozitiv dhe ka barrën që pritshmëritë e publikut te SPAK ta justifikojë. Koha po punon për drejtësinë  re”, u shpreh ai.

Gazeta Panorama