Koncensionari kërkon masë sigurie për zgjidhjen e kontratës, Aeroporti i Vlorës padit qeverinë në Arbitrazhin e Londrës

23 Gusht 2026
Edhe Aeroporti i Vlorës po shkon drejt rrugës së ish aeroportit të Kukësit.
Kompania konçesionare, që po ndërton Aeroportin e Vlorës po përgatit një padi kundër qeverisë shqiptare në gjykatën e Arbitrazhit të Londrës. Por ndryshe nga arbitrazhet e tjera të ngritura ndaj Shqipërisë, kjo padi nuk ka të bëjë me kërkesë për kompesim apo pagim dëmesh.
Kapitali ka mësuar se Vlora International do t’i drejtohet gjykatës për të kërkuar bllokimin e prishjes së kontratës konçesionare. Pra, një masë sigurimi mbi njoftimin e ministrisë së Infrastrukturës për zgjidhjen e kontratës.
Aktualisht VIA drejtohet nga Vegim Hoxha, administrator i vendosur nga kompania 2A group e Valon Ademit pas ngrirjes së aksioneve të Mabcos nga gjykatat.
Edhe pse Gjykata e Lartë vendosi në fund të majit për zhbllokimin e 51 për qind të kuotave të Mabco, pak ditë më vonë gjykata e shkallës së parë bllokoi Mabcon të ndryshonte administratorin e kompanisë koncesionare dhe statutin e saj.
Ndërkohë Mabco nga ana e saj ka paralajmëruar në më shumë se një rast, arbitrazh për të kërkuar dëmshpërblim nga qeveria shqiptare për prishjen e kontratës, përfshirë fitimet e munguara të parashikuara në planin e biznesit të koncesionit.
Megjithatë gjatë kohëve të fundit, pronari i saj Behgjet Pacolli ka i ka bërë thirrje qeverisë përmes postimeve në rrjeteve sociale që mosmarrëveshja të zgjidhet me mirëkuptim.
Përplasja shkresore për zgjidhjen e koncesionit
Kontrata konçesionare parashikon disa klauzola në nenin 21, të cilat trajtojnë rastet e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve mes palëve. Në paragrafin e parë ky nen thotë se palët do të përpiqen të gjejnë zgjidhje me mirëkuptim kur kanë mosmarrëveshje.
“Palët do të bëjnë përpjekje të arsyeshme për të zgjidhur me mirëbesim çdo mosmarrëveshje që rrjedh nga apo lidhet me këtë Kontratë (përfshirë çdo pretendim për ekzistencën, vlefshmërinë ose zgjidhjen e saj),” thuhet në paragrafin e parë të nenit 21.

Neni 21 i kontrates koncesionare
Burime nga ministria e Infrastrukturës thonë se shoqëria konçesionare e aeroportit të Vlorës ka aktivizuar nenin 21 të kontratës që në fund të qershorit, përmes një shkrese zyrtare.
“Duke qenë se nga shkresa juaj rezulton ekzistenca e një mosmarreveshjeje të mirëfilltë mbi interpretimin dhe Zbatimin e kontratës, VIA me këtë shkresë, aktivizon gjithashtu mekanizmin e nenit 21.1 të Kontratës dhe kërkon që palët të takohen në mirëbesim brenda afatit kontraktual për të shqyrtuar dhe zgiidhur këte mosmarrëveshje,” thuhet në shkresën që VIA i dërgon ministrisë së Infrastrukturës, pasi ministra parlajmëroi zgjidhjen e kontratës.

Aktivizimi i nenit 21 nga VIA
Por ministria nuk e mori parasysh këtë mekanizëm duke dhënë dhe argumentet e saj se pse.
“Përpjekja për ta trajtuar këtë çështje si mosmarrëveshje kontraktore në kuptim të nenit 21 të Kontratës nuk gjen mbështetje, pasi nuk mund të cilësohet si mosmarrëveshje një pretendim që bie ndesh me aktet kontraktore, deklarimet e vetë Shoqerisë Koneesionare, raportimet zyrtare, punimeve të konfirmuara nga Inxhinieri i Pavarur, si dhe me evidencat faktike dhe dokumentare të administruara gjatë zbatimit të kontratës,” thuhet në përgjigjen e qeverisë në fund të muajit korrik.

Refuzimi i qeverise per nenin 21
Një javë më pas, ministria e Infrastrukturës njofoi zyrtarisht se kishte aktivizuar proçedurën për zgjidhjen e kontratës së koncesionit për aeroportin e Vlorës.
Tashmë VIA do t’i drejtohet arbitrazhit të Londrës për të ndalur zgjidhjen e kontratës, një kërkesë për të cilën gjykata duhet të marrë vendim brenda një muaj e gjysmë./ Kapitali
