KLGJ nuk vendos për Irena Gjokën, rrëzohet raporti i Prokurorisë së Përgjithshme

30 Janar 2026
Pasi e zvarriti për 2 vite procesin për verifikimin e figurës së gjyqtares me 3 mbiemra Irena Gjoka-Maneku-Shpata, sot KLGJ ka marrë një vendim të turpshëm, duke mos shqyrtuar faktet e dërguara nga Prokuroria e Përgjithshme se Irena Gjoka është e dënuar në Greqi dhe se ka falsifikuar formularët e drekriminalizimit duke fshehur këtë dënim. Me 5 vota kundër kërkesës për shqyrtimin e provave të servirura, nga Prokuroria e Përgjithshme KLGJ vendosi që çështjen ta kalojë për shqyrtim në ILD-në e drejtuar nga Artur Metani, ish-drejtori juridik i Edi Ramës.
Pas dy vitesh zvarritje Këshilli i Lartë Gjyqësor ka rrëzuar relacionin e Prokurorisë së Përgjithshme që konfirmon dënimin e gjyqtares Irena Gjoka dhe fshehjen e këtij dënimi, për të cilin duhet të shkarkohet. Me 6 vota kundër dhe 4 pro, KLGJ votoi që të mos marrë parasysh raportin e organit qendror të akuzës i cili vërtetonte dënimin e Irena Gjokës në Greqi dhe fshehjen nga ana e saj në formularin e dekriminalizimit.
Argumenti i KLGJ është se kjo çështje duhet t’i vijë për shqyrtim nga Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë, megjithëse ishte vetë ky institucion i cili vuri në lëvizje organin e akuzës për të marrë informacione mbi Irena Gjokën. Sipas Ritvan Hados, Këshilli i Lartë Gjyqësor kështu ka vepruar dhe në rastet e tjera.
Në këtë mënyrë KLGJ pason topin tek ILD dhe i jep kohë dhe mundësi Irena Gjokës që të vijojë detyrën e saj si gjyqtare në Gjykatën e Posaçme të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ku ka disa çështje të rëndësishme. Irena Gjoka është gjyqtarja që vendosi për burgosjen e liderëve të Opozitës Sali Berisha, apo për shqyrtimin e çështjes Ilir Metës si dhe të drejtuesve të tjerë të opozitës.
Nga dokumentet e publikuara dhe nga informacionet që Prokuroria e Përgjithshme ka konfirmuar nga pala greke, Irena Gjoka rezulton se është dënuar në vitin 2005 në Greqi për falsifikim vize. Në këtë mënyrë, skandali i saj vazhdon të zvarritet, edhe pse faktet dhe dokumentet janë të qarta.
KLGJ nuk u mor në këtë mbledhje as me parashtrimet që ishin dërguar nga Sali Berisha dhe Jamarbër Malltezi se Irena Gjoka është përdorur nga Edi Rama kundër drejtuesve të opozitës. Pavarësisht kësaj, ajo ka vazhduar të qëndrojë në sistem, ku edhe SPAK prej disa muajsh mban peng dosjen dhe nuk kryen hetime ndaj Irena Gjokës, edhe pse ka regjistruar procedimin penal . Këtë vendim të Këshillit të Lartë Gjyqësor e paralajmëroi Adriana Kalaja. Në një deklaratë për mediat nga ky institucion Kalaja tha se nuk ka asnjë shpresë nga KLGJ pasi ato janë nën komandën dhe urdhrat e Edi Ramës.
Vetë Irena Gjoka, pas 2 vitesh mohim ka pranuar që është dënuar, por u justifikua se nuk ka patur dijeni për dënimin. Por edhe ky fakt rrëzohet sërish nga provat, se pas dënimit Irena Gjoka ka pajisur me prokurë një avokat në Greqi, që e autorizon për të ndjekur çështjen, ndërsa edhe personalisht I është komunikuar në pikën kufitare kur nuk është lejuar më të shkelë në territorin e shtetit helen.
