Kina zhvendos anije luftarake në Detin e Kuq, ja çfarë fshihet pas këtij veprimi të Xi Jinping
12 Nentor 2025
Në ditët e fundit, Kina ka mbledhur dy flotilje pranë Detit të Kuq, si pjesë e një misioni shoqërimi për të ndihmuar marinën e saj të fitojë përvojë në operacionet jashtë shtetit. Siç ka shpjeguar Ministria e Mbrojtjes e Pekinit, forcat kineze po marrin masa konkrete për të mbrojtur korridoret detare ndërkombëtare dhe për të ruajtur paqen. Ushtria Çlirimtare Popullore Kineze (PLA), që operon marinën më të madhe në botë për nga numri i anijeve, po zgjeron aktivitetet e saj ushtarake përtej Paqësorit. Kina ka filluar operacione të shoqërimit në Gjirin e Adenit që nga viti 2008, duke mbrojtur interesat detare dhe duke ofruar përvojë për marinarët e saj.
Gjiri i Adenit, që lidh Oqeanin Indian me Detin e Kuq, është një pikë kyçe për tregtinë globale dhe transportin e energjisë, dhe ka qenë gjithashtu një qendër për operacionet ushtarake të SHBA-ve dhe aleatëve të saj kundër piraterisë dhe rebelëve Huthi të Jemenit. Marina Kineze ka publikuar pamje të Grupit të 47-të dhe 48-të të Eskortës duke kryer ceremoninë e dorëzimit të misioneve, duke shënuar përfundimin e një cikli dhe kalimin në një tjetër. Pas ceremonisë, grupi i ri i operacioneve detare të Kinës ka filluar misionin e tij të parë, duke shoqëruar një anije mallrash panameze në Gjirin perëndimor të Adenit. Misioni zgjati më shumë se 30 orë dhe mbuloi mbi 350 kilometra. Grupi i 48-të, që u nis më 11 tetor nga Qingdao, përfshin shkatërruesin CNS Tangshan, fregatën CNS Daqing dhe anijen e furnizimit CNS Taihu. Ndërkohë, Grupi i 47-të, që po largohet pas një misioni njëvjeçar, përfshin shkatërruesin CNS Baotou, fregatën CNS Honghe dhe anijen CNS Gaoyouhu.

