“Kemi kohë pa e parë diellin. –  Gra dhe fëmijë strehohen në uzinën e çelikut në Mariupol, apeli për ndihmë

23 PRILL 2022

Uzina e çelikut në Mariupol është e vetmja zonë në këtë qytet që vijon rezistencën ndaj rusëve, teksa pjesa tjetër është pushtuar.

Gra dhe fëmijë të strehuar nën tokë në uzinën Azovstal në Mariupol shihen në pamjet e publikuara nga regjimenti Azov i Ukrainës. Në dhomën e mbushur me njerëz, ata dëgjohen duke thënë se kanë mungesë ushqimi dhe uji ndaj luten që të evakuohen nga qyteti jugor.

Disa thonë se nuk kanë parë dritën e ditës për javë të tëra, pasi janë mbyllur aty që nga muaji shkurt.

BBC raporton se videot mendohet se është filmuar më 21 prill. Në të njëjtën ditë, Presidenti Vladimir Putin anuloi një sulm të planifikuar në fabrikën e çelikut dhe urdhëroi trupat e tij ta mbyllnin atë.

Moska deklaroi gjithashtu se kishte kontroll të plotë të qytetit, një pretendim i mohuar nga Ukraina, e cila thotë se trupat ruse nuk ishin në gjendje ta pushtonin fabrikën e çelikut Azovstal.

Fabrika, një labirint tunelesh dhe punishtesh, është një vend i madh industrial. Marrja e portit të Detit Azov është një qëllim kyç i luftës së Kremlinit.

Regjimenti i Azov, i cili fillimisht ishte një grup i ekstremit të djathtë që më vonë u përfshi në Gardën Kombëtare të Ukrainës, thotë se në video luftëtarët e tij po shpërndajnë ushqime dhe ndihma të tjera për gratë dhe fëmijët në një nga bunkerët nëntokësorë të Azovstal.

Në muret që çojnë në dhomë shihen tabela të mëdha që ku shkruhet me bojë të kuqe “Fëmijë”. Një grua, të cilës nuk përmendet emri, dëgjohet duke thënë se më shumë se 15 fëmijë, përfshirë foshnje, janë strehuar atje.

Një nga fëmijët, një vajzë, thotë se u largua nga shtëpia së bashku me mamanë e saj dhe gjyshen më 27 shkurt: “Ne nuk e kemi parë qiellin dhe diellin që nga ajo kohë. Ne duam të ikim nga këtu. Duam që vendi ynë të jetë i sigurt, që askush të mos lëndohet dhe të jetojmë në siguri.”

Gazeta Shqip