“Kapja e shtetit” – Dorëzimi i “rilindjes” te krimi dhe korrupsioni

– 19/12/20

Nga Blerina Gjoka

Qeveria ka ligjëruar korrupsionin me anë të “ligjeve të porositura” apo koncesioneve me kosto marramendëse. Zyrtarët e lartë shtetërorë dhe politikë favorizojnë krimin dhe përdorin bandat kriminale për vjedhje votash. Tabloja tronditëse për Shqipërinë vjen nga Transparency International. Po çfarë do të thotë “kapje e shtetit” dhe cilat janë pasojat në ekonominë e vendit e këtyre praktikave korruptive? Analizojnë gjetjet e raportit të fundit të TI, Artan HoxhaOrnela Liperi dhe Redjon Qirjazi nga IDM, organizata partnere e TI në Tiranë.

Bashkëpunimi i zyrtarëve të lartë dhe politikanëve me bandat kriminale dhe miratimi i “ligjeve klienteliste” e bëjnë shtetin shqiptar të cilësohet i kapur nga krimi. Këto konstatime tronditëse nuk vijnë nga opozita, por nga Transparency International, organizatës që merret me perceptimin e fenomeneve të korrupsionit apo krimit të organizuar në botë.

Raporti i fundit i TI kushtuar Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë, në rastin e Shqipërisë sjell shembuj konkretë se si shteti është kapur nga krimi. Aty përmendet lidhja e zyrtarëve të lartë socialistë me bandat kriminale; rasti i ish-ministrit të Rendit, Sajmir Tahiri, apo përdorimin e bandave për vjedhje votash si ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, dhe ministri Damian Gjiknuri, të kapur në përgjimet e prokurorisë. Po ashtu TI vëren se qeveria është vënë në shërbim të interesave të grupeve apo individëve të veçantë me anë të koncesioneve dhe “ligjeve të porositura”.

Një tjetër raport i Transparency International e konsideron Shqipërinë si një vend me një ekspozim të madh ndaj korrupsionit në sektorin e mbrojtjes. E ndërsa korrupsioni na shfaqet parasysh si një rrjet merimange që lidh qeverinë me krimin, pasojat e kapjes së shtetit shkojnë paralelisht me varfërimin e shqiptarëve. Në indeksin e fundit të EUROSTAT Shqipëria radhitet si vendi më i varfër në Europë. Gjetjet e TI për Shqipërinë evidentojnë disa fenomene që tregojnë dorëzimin e shtetit në duart e interesave të grupeve të caktuara dhe të bandave kriminale dhe mekanizmat për ligjërimin e korrupsionit.

Korrupsioni i nivelit të lartë
“Një shembull i klientelizmit politik paraqitet në rastin e ish-kryetarit të Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, anëtar i komitetit drejtues të Partisë Socialiste në atë kohë dhe përgjegjës për fushatën zgjedhore në Durrës gjatë zgjedhjeve të vitit 2017 në Shqipëri. Dako bashkëpunoi me klanin lokal Avdulaj në blerjen e votave dhe frikësimin e votuesve në këmbim të trajtimit të favorizuar në institucionet lokale”.

Lidhje me krimin e organizuar
“Korrupsioni i zyrtarëve përkatës publikë për të lejuar krimin e organizuar është gjetur në më shumë se një vend. Në Shqipëri, për shembull, ish-ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri, në bashkëpunim me drejtorin e stacionit lokal të policisë në Vlorë, u akuzua për ndihmën e një grupi kriminal. Sipas akuzës, ai dyshohet se u dha informacion trafikantëve dhe hoqi pengesat për trafikimin e narkotikëve gjatë mandatit të tij në detyrë nga 2013 në 2017.”

Ligjet klienteliste
“Ligjet e bëra me porosi vulosin dhe legjitimojnë privatizimin e institucioneve dhe burimeve publike duke e bërë atë të ligjshme. Ligje të tilla jo vetëm që dekriminalizojnë kapjen por, pasi të legalizohen, e bëjnë më të vështirë luftimin e kapjes sepse përpjekja do të perceptohet si mosbindje ndaj ligjit. Gjatë mbledhjes së të dhënave tona, vendet ku u gjetën ligjet më të personalizuara ishin Turqia dhe Shqipëria”. TI sjell si shembuj ligjin mbi lojërat e fatit, i cili në vend që të kufizonte industrinë, e zgjeruan atë ndjeshëm. “Përfituesit e ligjit mund të përfshijnë rrjete të krimit të organizuar dhe politikanë që financojnë fushatat e tyre me para të tilla”- thuhet në raport. Një tjetër rast përmendet koncesioni për ndërtimin e rrugës Milot-Balldren, i cili sjell përjashtim të konkurrentëve dhe ndikim negativ në zhvillimin ekonomik duke u bërë një barrë e kushtueshme për buxhetin publik.

Korrupsioni te Mbrojtja
Në raportin me titull “Qeverisja në Sektorin e Mbrojtjes në Evropën Qendrore dhe Lindore”, në lidhje me monitorimin e punës në ministritë e mbrojtjes në vendet e Evropës lindore, Shqipëria shfaq nivel të lartë risku veçanërisht në dy kategori, prokurimet dhe menaxhimin e financave. Raporti shpreh shqetësimin se në kushtet e një menaxhimi të dobët financiar dhe të prokurimeve pa mbikëqyrje të fortë të jashtme, risku i korrupsionit në sektorin e mbrojtjes mund të shumëfishohet, sidomos duke marrë parasysh që vende si Shqipëria janë angazhuar për të përmbushur objektivin e NATO-s për të rritur shpenzimet mbi prokurimet në të paktën 20% të buxhetit të mbrojtjes.

Gazeta Mapo