Nga: Niko Ferro.

-Kapitelet për të cilët do flasim më poshtë nuk janë bërë asnjëherë objekt studimi, hulumtimi, apo përshkrimi të shkurtër historik.  Pikërisht për këto arsye paraqitja e tyre në këtë artikull ka mjaft interes për lashtësinë e zonës së Lushnjës. Në oborrin e kishës së re dedikuar “Shën Dhimitrit-Kokotovë” ruhen tre kapitele antike.  Sipas dëshmive të banorëve vendas këto kapitele kanë qenë murosur në themelet e kishës së vjetër (me të njëjtin emër). Ndonëse kisha e vjetër u shkatërrua deri në themel në vitin 1967, për fat të mirë kapitelet dhe një pllakë e vogël prej guri me mbishkrim u ruajtën dhe sot janë të ekspozuar në mjediset e kishës së re. Ndërsa pyesim Ikonom Terkion në lidhje me origjinën e tyre ai na rrëfen një gojëdhënë:

“Thuhet se dy shekuj më parë çobanët e zonës vendosën të ndërtonin këtu një kishë. Mësojmë gjithashtu se fiset Sylari, Bani, Durri e të tjerë ndihmuan për ndërtimin e saj”

Por në lidhje me kapitelet “shënjat” siç i quan ai nuk ka asnjë të dhënë. Megjithatë synimi i këtij artikulli nuk është përshkrimi i gojëdhënës së ndërtimit të kishës por kapitelet që ruhen në të.

Kapiteli në fig 1 është prej guri gëlqeror. Kapiteli është me forma gjeometrike, i përbërë nga baza e sipërme, një paralelepiped me përmasa 49 cm x 49 cm dhe lartësi 9 cm. Poshtë  ngushtohet në formën e trungut të një koni. Ky kapitel për nga karakteristikat arkitektonike i përket orderit dorik. Ky kapitel datohet në shek. V-IV p.e.s

Kapiteli në fig 2 edhe ky është prej guri gëlqeror. Ai është shumë i dëmtuar. Në lidhje me përmasat mund të themi se është gati i njëjtë me të parin. Teknika e përdoruar për gdhendjen e tij dallon shumë me të parin. Punimi është bërë disi më i ashpër. Nga ajo çfarë ka mbetur prej kapitelit mund të themi se i përket orderit dorik dhe datohet në shek. IV p.e.s

Kapiteli në fig 3 është i ndryshëm nga dy kapitelet e tjerë. Ky kapitel është gdhendur në gur ranor. Ai është i gjatë 37 cm. Edhe ky është shumë i dëmtuar. Nga ajo çfarë dallohet kapiteli është zbukuruar me dy radhë gjethesh ankanthi dhe në cepat e tij duhet të ketë pasur voluta por që për fat të keq nuk ruhet asnjëra prej tyre. Gjethet e akantit duhet të jenë të tipit me gjemba të mprehtë. Duke qenë një ekzemplar i vetëm të paktën deri më sot i zbuluar në zonën e Lushnjës është vështirë të japim një datim të saktë. Besojmë se i përket shek. V-VI të e. s

Pllaka me mbishkrim në greqisht fig 4 ka këto përmasa; ajo është e gjatë 32 cm, e gjerë 33 cm, e trashë 12 cm. Në pjesën e përparme të saj dallohet një kryq i gdhendur i cili në fund degëzohet. Sakaq në pjesën e përparme ruhet një mbishkrim në greqisht. Që e përkthyer në shqip lexohet “Drita e Shën Dhimitrit, 22 mars 1817”. Kjo pllakë mund të jetë data në cilën është ndërtuar ose rindertuar kisha e cila përkon edhe me gojëdhënën që tregohet.