Bashkia e Kukësit i është drejtuar vlerave të saj kulturore dhe historike në funksion të trashëgimisë kulturore dhe zhvillimit turistik të zonës.Ne bashkëpunim me Institutin e Arkeologjisë, ka nisur një projekt për risjelljen në një formë të vlefshme të Kalasë dhe Qytezës Antike të Pecës,e cila shtrihet në 12 mijë metra katrorë.

“Është një kala me një histori shumë të vjetër, që përgjithsisht edhe vetë e kuksianët thjesht e kanë bërë si një kodër, por ne duhet t’u tregojmë të gjithëve se këtu ka një trashëgimi kulturore shumë të pasur me një investim 4 vjeçar, por me shumë modeste. Kemi operuar edhe me ambasadorë të huaj, po shikojmë për gjetjen e mundësisë për të bërë rrugën që të sjell këtu”, u shpreh kreu i Bashkisë Kukës, Bashkim Shehu.

Drejtor i Institutit të Arkeologjisë, Luan Perzhita i cili kryeson këtë projekt të Bashkisë Kukës thotë, se Kalaja e Pecës ka vlera të  jashtëzakonshme për sa i takon origjinës dhe emrit të vjetër të vetë qytetit të Kukësit. Sipas Përzhitës, është një shembull i rëndësishëm vlerash që identifikon qytetërimet e hershme e me kulminacion Perandorinë e Justinianit, i cili ndërtoi edhe një kishë brenda Kalasë së Pecës.

“Falë një bashkëpunimi që ka Instituti i Arkelogjisë me Bashkinë e Kukësit, unë do të falenderoja përzemërsisht këtë nismë kaq të rëndësishme për trashëgiminë kulturore të një bashkie siç është Bashkia e Kukësit, e cila interesohet për çështjet e monumenteve të kulturës dhe natyrisht është një përgjegjësi e madhe e Institutit të Arkeologjisë për të realizuar të gjithë ato çështje dhe pika që bëjnë rijetëzimin e qytezës dardane të Pecës”, theksoi drejtori i Institutit të Arkeologjisë, Luan Përzhita.

Projekti per rivitalizimin e Kalase dhe Qytezes Antike te Peces do te përfshijne rindërtimin e mureve rrethuese,atë të kishës,kullën e vrojtimit, si dhe rrugën që të çon tek ky ansambël i trashëgimnisë kulturore e historike.  Kalaja e Pecës ndodhet  pranë lumit Drin i Bardhë,në një pikë strategjike e që sot rrethohet nga liqeni i Fierzës.