jonila godole

Jonila Godole: – Mungon qasja universale ndaj kujtesës. –

23/02/19

Por letërsia dhe artet sa kanë mundur ta përcjellin këto vite dramën e një vendi nën regjimin totalitar? Më poshtë Godole vjen në një bisedë për MapoLetrare, mbi Ditët e letërsinë e kujtesës…

Jonila Godole përkthyese dhe profesore e komunikimit prej vitesh e ka kthyer qasjen ndaj kujtesës në kërkimin e saj. Romani i saj i parë ka të bëjë pikërisht me të shkuarën. Në krye të IDMC (Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë) ajo ka ndërrmarrë një sërë aktivitetesh dhe nismash që kanë të bëjnë me njohjen e krimeve të komunizmit. Ditët e Kujtesës një maratonë aktivitetesh kushtuar të shkuarës komuniste dhe mënyrës sesi duhet ta shohim atë këtë vit ka hyrë në edicionin e katërt, që përkon me 28 vjetorin e rrëzimit të statujës së diktatorit Hoxha dhe përkujtimit të 22 intelektualëve të pushkatuar pa gjyq. Përgjatë një jave 20-27 shkurt intelektualë dhe njerëz të botës së mendimit do ti bashkohen nismave të IDMC nën moton për të mos harruar.

Por letërsia dhe artet sa kanë mundur ta përcjellin këto vite dramën e një vendi nën regjimin totalitar? Më poshtë Godole vjen në një bisedë për MapoLetrare, mbi Ditët e letërsinë e kujtesës…

Kujtesa është kthyer në një kërkim të vazhdueshëm për ju si studiuese. Këtë vit shënjohet edicioni i 4 i Ditëve të Kujtesës… Çfarë sjell ky edicion i katërt?

Ditët e Kujtesës janë zhvendosur këtë vit në muajin shkurt, në një javë që mund të quhet me plot gojën javë kujtese. Më 20 shkurt kemi rrëzimin e statujës së Enver Hoxhës, në mesnatën e 26 shkurtit 1951 u pushkatuan pa gjyq dhe pa faj 22 intelektualë me vendim të Byrosë Politike të KQ të PPSH, me pretekstin e të ashtuquajturës “Bomba sovjetike”, një sasie vogël dinamiti hedhur në oborrin e Ambasadës Sovjetike në Tiranë. Ndërsa më 27 shkurt 1967 E. Hoxha mban fjalimin ku jep orientime për luftën e pamëshirshme kundër fesë, e cila inicioi edhe fushatën kundër besimeve fetare dhe klerit, dhe ku u mbyllën dhe u shkatërruan 2 169 objekte fetare, u dhunuan e u burgosën klerikët, liria e besimit dhe Shqipëria u shpall nga regjimi si i vetmi vend ateist në botë.

Siç e shihni këto janë ngjarje të rëndësishme për kujtesën tonë kolektive dhe në fakt vetë shteti duhet të kishte interesin dhe të ofronte mbështetjen për t’i kujtuar ngjarjet dhe pasojat që ato kanë lënë deri më sot në shoqërinë dhe historinë shqiptare.

Por nuk ndodh kështu. Janë partnerët ndërkombëtarë si Fondacioni Konrad Adenauer, OSBE, Ambasada Polake apo Gjermane që ndihmojnë institucionet shqiptare dhe shoqërinë civile që kujtesa të mbahet gjallë me aktivitete. Pa mbështetjen e tyre sot shqiptarët do të kishin më pak informacione se çfarë ka ndodhur në periudhën 1944-1992.

Në vende me të shkuar të trazuar si e jona, shkrimtarët i janë kthyer kujtesës për të shkruar vepra të rëndësishme për kohën. Pse ende nuk kemi vepra të tilla në letërsinë shqipe?

Nuk do të thosha që nuk kemi, por mund të kishim më shumë. Kurse nga autorët që lëvrojnë profesionalisht letërsinë, Agron Tufa ka disa romane me këtë temë. Luljeta Lleshanaku e ka trajtuar atë mjeshtërisht në vëllimet e saj me poezi. Bashkim Shehu ka gjithashtu disa vepra ku preken aspekte të ndryshme politike dhe shoqërore të diktaturës. Rudi Erebara fitoi çmimin europian me romanin e tij kushtuar përpjekjeve për depersonalizim të artistit, Ylljet Aliçka ka një roman, tregime dhe skenare me këtë temë. Unë kam një roman dhe një dramë që trajton jetën në komunizëm dhe traumat që individi ka pësuar nga ajo. Autorë që jetojnë jashtë gjithashtu kanë trajtuar jetën në diktaturë në perspektiva të ndryshme, si Arben Dedja, Ornela Vorpsi etj. Ajo që mua më mungon në letërsinë tonë është një qasje përtej personales, më universale në mënyrë që lënda të mund të kuptohet edhe nga një publik i huaj që nuk e ka përjetuar regjimin tonë komunist dhe nuk e njeh anën e egër të tij.

Si do ta gjykoje atë çfarë ka dhënë deri tani letërsia e kujtesës?

Përveç autorëve të mësipërm, një rol të rëndësishëm në përpunimin letrar të së kaluarës kanë dhënë padyshim dëshmitë e personave që kanë përjetuar persekutimin komunist mbi shpinë. Veprat e disa autorëve mendoj se kanë vlera të padiskutueshme letrare si „Ridenimi“ i Fatos Lubonjës, „Rrno për me tregue“ At Zef Pllumi apo „O njeri“ nga Gëzim Peshkëpia etj. Të gjitha këto vepra së bashku, si letërsia biografike, ashtu edhe qasja fiksionale besoj që kanë dhënë një impakt te lexuesi shqiptar. Jam e sigurt që numri i këtyre veprave do të vijë duke u rritur në vitet në vijim, për arsye se distanca nga sistemi i kaluar është rritur mjaftueshëm që të mund të shkruash ftohtë për subjekte të ndryshme, që ajo periudhë i kam e tepricë. Veprat më të mira do të vijnë, ato ende nuk janë shkruar mbi jetën në komunizëm, në zhanrin e letërsisë klasike apo zhanre eksperimentale që i ndikon zhvillimi teknologjik.

A e ndihmon kujtesa kulturën?

Në Gjermani pas shembjes së Murit të Berlinit (1989) pati një sërë ndërhyrjesh në kurrikulën mësimore që të rinjtë e Gjermanisë së Bashkuar të njihnin historinë e diktaturës në Gjermaninë Lindore. Megjithë rolin e padiskutueshëm që edukimi luan në strategjitë afatgjata të kujtesës, ishin pikërisht letërsia dhe sidomos filmat që e përshpejtuan procesin e ballafaqimit me të shkuarën. Filmat „Goodbye Lenin“ dhe „Das Leben der Anderen“ (Jeta e të tjerëve) apo seriali i njohur „Der Weissensee“ (Liqeni i Bardhë), – dy filmat e fundit specifikisht për punën e Stasi-t në Gjermani, – patën një impakt të padiskutueshëm te brezi i ri dhe gjithë shoqëria, duke e ndihmuar ndjeshëm procesin e përballjes me të shkuarën. Diçka e tillë, produksione filmike të fuqishme dhe që japin thelbin e një sistemi diktatorial, ende mungojnë në Shqipëri, por besoj se është çështje kohe.

Nga autoret që kanë shkuar për kujtesën kush është me i dashuri nga ju e pse?

Në Shqipëri vepra e At Zef Pllumit mbetet frymëzuese për këndvështrimin unik të trajtimit të dhimbjes përtej fatit personal. Kurse autorë të huaj ka shumë, do veçoja për vlerat e tyre universale Primo Levin „Se questo è un umo“ (A është vallë, njeri?) dhe Alexander Solschenizyn „The Gulag Archipelago“ (Arkipelagu gulag) – të dy janë ndër veprat më të rëndësishme të shekullit 20. Autori i parë, një i mbijetuar i Holokaustit dhe i dyti një kronikan kritik i stalinizmit dhe pasojave të tij në Bashkimin Sovjetik.

jonila godole

Si e shihni të ardhmen në rrugëtimin tonë drejt kujtesës, dhe vendit që ajo duhet të zejë në memorien tonë?

Nëse ka vullnet politik nuk do të ketë një ballafaqim të vërtetë me të shkuarën. Pa vullnet politik çdo ligj dhe iniciativë në këtë fushë do të mbetet e cunguar, e kam fjalën këtu për përballjen ligjore me përgjegjësit e krimeve të kryera; po ashtu për rehabilitimin e plotë të viktimave dhe integrimin e tyre në shoqëri në mënyrë dinjitoze; për muzealizimin e vendjeve të dhembjes; rishikimin e kurrikulës mësimore etj. Në procesin afatshkurtër të paktën të kryheshin aktet simbolike si Dita shqiptare e Kujtesës për viktimat e komunizmit dhe ngritja e një memoriali qendror në qendër të Kryeqytetit për t‘u kujtuar shqiptarëve se diktatura nuk ka qenë larg dhe se ajo mund të rikthehet në çfarëdo kohë nëse nuk i mbyllim hesapet me të.