
Jaho Brahaj: – Së pari muze të trashëgimisë dhe artit kombëtar, më vonë të qytetërimit islamik
26 Shtator 2025
Intervistoi: Julia Vrapi
“… Kur nuk ke qirinj në shtëpi, mos shpjerë në kishë e as xhami. – Po krijojmë boshllëk në pasurinë tonë të trashëguar shpirtërore e materiale dhe po bëhemi epiqendër për artin islamik, se vetëm kjo qenka nevojë për turizmin dhe për vizitorët e huaj.”…
-Muzeu i Artit dhe Trashëgimisë Islame do të ngrihet në Godinën e Sarajeve. Si e shikoni këtë projekt, ku bashkëpunim ka edhe Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, si dhe Bashkia Tiranë siç u bë me dije disa ditë më parë?
Tirana ka nevojë për muze, por ne nuk e kemi luksin të ngremë muze të qytetërimit islamik me parat e taksapaguesve, sepse kemi mungesa për muze me tematikë traditat dhe artin tonë. Nuk jemi që Tirana të mos ketë një muze të qytetërimit islamik, dhe as nuk jemi kundër muzeve të qytetërimeve të ndryshme, por në radhë të parë duhet të kemi pasurinë tonë historike, kulturore e artistike që duhet ta ekspozojmë e popullarizojmë. Në vitin 2023 me nismën e Bashkisë Tiranë me paratë e taksapaguesve të qytetarëve u ble Saraji i Toptanëve me destinacion Muze Etnografik i Tiranës. Ky veprim dhe kjo nismë u mirëprit se më në fund edhe Tirana, kryeqyteti do kishte një muze etnografik. Kjo edhe për shkak se Shqipëria nuk ka Muze Etnografik Kombëtar. Është i habitshëm njoftimi i Ministrisë së Kulturës i bërë këto ditë, se kjo godinë e blerë me lekët dhe taksat e kryeqytetasve do jetë Muze i qytetërimit Islamik, ashtu siç ishte neglizhencë e Bashkisë Tiranë që nuk ka filluar puna për hartimin e plan-projektit për muzeun etnografik në këtë godinë dhe nuk dimë të jetë ngritur ndonjë grup pune nga kjo bashki gjatë kësaj periudhe. Qeveria shqiptare ka detyrim në radhë të parë për historinë, traditat dhe artin e etnisë sonë, të organizojë punën me anë të institucioneve, të studiohet dhe ekspozohet. Ngritja e një muzeu të tillë të artit islamik, duke i ndërruar tematikë muzeut etnografik të Tiranës vetëm për interesa të pakuptimta, sepse ofron ndihmë një institucion apo shoqatë e huaj me lekët e taksapaguesve shqiptarë është e pafalshme, mohim i detyrimeve të institucioneve shtetërore për vlerësimin e pasurinë tonë kombëtare.
-Ju ndërkohë keni shprehur më parë dhe problemin, që Tiranës i mungon një muze etnografik. Çfarë sjell kjo mungesë në fushën e etnografisë?
Në radhë të parë i mungon Shqipërisë një muze etnografik, dhe po ashtu edhe Tiranës, kryeqytetit. Kjo për arsye nga më të ndryshmet. Shqipëria me rrënjë të lashta e me qytetërim të lashtë ka veçori etnike artistike e kulturore, që janë pasuritë më të mëdha të etnisë tonë dhe të dallueshme nga popujt dhe kulturat e tjera të Mesdheut. Këto pasuri në radhë të parë duhet t’i njohë dhe ti ketë pjesë të vetëdijes brezi i ri i jonë. Sot shumë vlera artistike, e pasuri tradicionale, si mjeshtëritë e zejet, veshjet, organizimi i jetës me arkitekturën, ceremonitë e ndryshme shoqërore e mënyra e kremtimit të festave popullore e fetare kanë ndryshuar ose disa janë lënë në harresë. Është detyrë e qeverisë tonë, madje detyrim kushtetues që këto të studiohen, të ekspozohen dhe përcillen brez pas brezi. Këto janë edhe kërkesa të Europës pjesë shpirtërore e të cilës jemi, por edhe në rrugëtimin tonë për të ju bashkuar. Së dyti gjatë këtij tranzicioni më shumë se tridhjetë vjeçar kushtet ekonomike, demografike, ndryshimeve sociale, emigrimit, etj, këto pasuri kombëtare nuk patën vlerësimin dhe kushtet për tu ruajtur dhe vazhduar në hulli të natyrshme. Vetëm një aspekt: Jemi populli që kemi një pasuri të larmishme të trashëguar të veshjeve kombëtare. Në shumë krahina etnografike ka filluar të këputet hallka e vazhdimësisë së njohjes nga brezi i rritur këto vite me këtë pasuri, në njohje. Ky është një problem serioz për artin, mjeshtëritë dhe pasurinë tonë kombëtare. Ballafaqohemi me fenomene regresi e deformimi të kësaj pasurie. Shikojmë që kanë lindur punishte qëndistarie që në vend që ta ripërtërijmë këtë pasuri po e tjetërsojmë e ç’vlerësojmë me gjithëfarë stilizimeve nga njerëz pa njohje e pa përgatitjen e tyre. Mjafton të shikojmë e dëgjojmë që gjithkush paraqet përcudnime të kësaj pasurie të krijuar e trashëguar në mijëra vjeçare e të ruajtur ndër breza. Ekspozohen e “krijohen” modele dhe ajo që është rrezik i trumbetojnë si vlera artistike të popullit tone. Kjo vjen në rradhë të parë se nuk kemi institucionet kulturore të shtetit në veprim, por kryesore është se na mungojnë edhe muzetë. Çdo i ashtuquajtur qëndistar paraqet dhe flet me kompetencë, duke paraqitur e modeluar modele të përcudnuara dhe këto brezi i ri i ka si burim për njohje. Kjo është e pafalshme. Ku më mirë se në muze mundet që brezi i ri ti njohë këto vlera, por në qofte se këto pasuri i kemi të ekspozuara edhe vetë të ashtuquajturat punishte e kanë një bazë, që i ndalon e frenon në fantazinë e tyre mediokre pa asnjë formim e njohje. Ja u përfshi nga UNESCO Xhubleta pasuri e njerëzimit. Në muzeumet tona kemi vetëm tre xhubleta të ekspozuara, e vetëm Mali i Zi ka të përfshira tre xhubleta shqiptare në Muzetë e Cetinjes. Studiuesit që nga fillimshekulli XX e kanë vlerësuar xhubletën si visar kombëtar të shqiptarëve dhe motivet artistike të qëndisjeve dhe stolive, që ajo mban i kanë vlerësuar me veçori e motive krejtësisht e pa ndikime të etnisë tonë. Nuk po zgjatemi më tej për këtë çështje, që edhe Rilindasit tonë e kanë ngritur domosdoshmërinë e muzeve me pasuri kombëtare si institucione që i duhen kombit. Sot janë të gjitha mundësitë, por qeveria e ndryshon drejtimin duke neglizhuar e zhvlerësuar pasurinë materiale dhe shpirtërore të shqiptareve dhe me lekët e po ne shqiptarëve planifikon të ketë prioritare artin e qytetërimeve të ndryshme.

Jaho Brahaj
-Ju si studiues herë pas here keni shprehur problem mungesën e një muzeu etnografik kombëtar. Për ju një projekt i tillë sa ka qenë në vëmendjen e institucioneve në vend?
Në fund të viteve, ’80-të të shekullit të kaluar nga qeveria shqiptare i është kërkuar institucioneve studimore dhe të Kulturës hartimi i projektplanit për Muze Kombëtar Etnografik. Ishte ngritur Ekspozita e përhershme e Kulturës Popullore në atë që sot është pedonalja në Shkodër, dhe provizorisht ishte ngritur dhe Muzeu Etnografik në ish godinën që e njohim si ish Ekspozita Kineze në Tiranë. Muzeu Etnografik Kombëtar në radhë të parë duhet të jetë për vetë ne shqiptarët, dhe jo vetëm të vrapojmë drejt planeve për turizmin. Jemi ne qytetarët që duhet të njohim, vlerësojmë e ruajmë pasurinë tonë në radhë të parë, pastaj ta kemi edhe aset për turizmin. Janë plotësisht kushtet për një muze të tillë, kemi reliktet dhe artefaktet, kemi studiues e muzeologë, por kemi një neglizhencë e mosvlerësim nga ministria dhe të gjitha hallkat e institucionet qeveritare e lokale, madje si po e shikojmë kemi dhe devijime në vlerësimin e pasurisë tonë për t’u bërë vasal të artit e pasurisë së të huajve, duke rënë në një vasalitet e kjo tregon mohim e nënvlerësim për vlerat tona. Populli thotë: Kur nuk ke qirinj në shtëpi, mos shpjerë në kishë e as xhami. Po krijojmë boshllëk në pasurinë tonë të trashëguar shpirtërore e materiale dhe të bëhemi epiqendër për artin islamik, se vetëm kjo qenka nevojë për turizmin dhe për vizitorët e huaj. Është detyrim që në radhë të parë të vlerësojmë qytetërimin tonë që e kemi që nga vlerat arkeologjike të lashta dhe i shpalosur me gjithë madhështinë e vlerat si art i pakrahasueshëm i etnisë tonë.
-Me aq sa ju jeni në dijeni, si është gjendja e muzeve etnografik në rrethe, problematika që ju keni parë?
Muzetë etnografikë në vend janë larg kushteve, që kërkohet për objektet. Jo vetëm nga Ministria e Kulturës, por dhe nga bashkitë duket se vëmendja nuk ka qenë e duhura. Muzetë tek ne janë të munguar, siç u shpreha nuk kemi muze etnografik kombëtar. Pavioni etnografik, që para shumë kohësh u punua për tu hapur në Muzeun Historik Kombëtar, por deri më sot nuk është hapur. Tashmë është mbyllur dhe Muzeu Historik Kombëtar. Një nismë gjysmake, sepse pa muze dhe vetëm me një pavion. Për muzetë etnografikë ka mungesë për parametrat e ruajtjes fizike të objekteve. Kushtet e ruajtjes në fonde ose në ekspozim janë domosdoshmëri, sepse janë objekte që nuk gjenden më. Edhe pse janë ndërmarrë disa nisma si ajo në Berat për pasurimin e muzeut etnografik, sërish ka shumë për të bërë nga institucionet. Kemi vite, që pothuajse asnjë objekt nuk është futur për të pasuruar muzetë tanë. Vlen të përmendet nisma te reja, që ka marrë muzeu etnografik në Berat, që banorët e komunitetit ti dhurojnë objektet. Por krahas kësaj pushteti qëndror dhe ai lokal duhet të krijojnë fondet për blerjen e objekteve. Sot muzetë etnografikë në varësi të bashkive kushtet e tyre i kanë larg standarteve të duhura, ku përjashtim bën muzeu në Berat dhe ai në Krujë e Elbasan. Kushtet në muzetë tonë etnografikë janë jashtë standardeve, që kërkon konservimi dhe ruajtja e objekteve. Ne po të krahasohemi me kushtet, që ka dhe kërkon Europa për muzetë, si klima, lagështira, etj, asnjë muze etnografik tek ne nuk i plotëson parametrat.
Gazeta Sot, 26 Shtator 2025