25 Mars 2024

Nuk u mjafton vjedhja e buxhetit të shtetit përmes tenderave dhe grabitja e pasurive publike, por kanë kapur edhe administratën publike përmes familjarëve të tyre. Administrata publike në Shqipëri është një oaz për gratë dhe fëmijët e pushtetarëve. Ndërsa shqiptarët punojnë në fabrika, në emigracion, kërkojnë azil ose punojnë në call center, familjarët e deputetëve dhe ministrave kanë kapur postet kyçe të administratës.

Disa javë më parë publikuam një pjesë të makinave luksoze dhe vilave të atyre që sundojnë dhe vjedhin prej tre dekadash Shqipërinë, sot po publikojmë se në cilat postet të administratës i kanë emëruar gratë dhe fëmijët e tyre.

Gazeta “SOT” ka bërë një kërkim se ku punojnë familjarët e disa prej deputetëve shqiptarë dhe ka rezultuar se fëmijët, bashkëshortët, por dhe të afërm të tjerë i kanë punësuar në ministri dhe drejtori të ndryshme rajonale apo qendrore. Studimi është bazuar mbi deklarimet e pasurisë nga deputetët pranë ILDKP gjatë vitit 2022. Interesant është faksi se pavarësisht se demokratët kanë  vite që kanë ikur nga pushtetit, disa deputetë, i kanë familjarët e tyre me poste të ndryshme në institucione të njohura shtetërore.

Emërimet

Martin Sterkaj, i biri i deputetit Paulin Sterkaj është i punësuar te Albcontroll. Brisilda Spahiu (Celibashi), Albcontroll, e bija e Nesim Spahiut, kryebashkiak i Skraparit.

Blerta Tusha, Alb Controll, bashkëshortja e Artur Bushit, kryetar i bashkisë Krujë.

Panajot  Dhima, Albpetrol, bashkëshorti i deputetes Antoneta Dhima. Aldo Dhima, Banka e Shqipërisë, i biri i deputetes, Antoneta Dhima. Livia Nikolla, Banka e Shqipërisë, e bija e kryetarës së Kuvendit, Lindita Nikolla.

Saimir Suli, KESH, i biri i kryetarit të bashkisë Kamëz, Rakip Suli. Idajet Suli, Drejtoria pastrimit te parave MF, i biri i kryetarit të bashkisë Kamëz, Rakip Suli. Ogerta Manstriliu, bashkëshorti tek Ambasada e Çekisë. Bujar Çela, bashkëshortja e punësuar te Bashkia e Lushnjes. Evis Kushi, bashkëshorti tek OST. Samir Hasalla, bashkëshortja tek ISSH Elbasan. Shpëtim Idrizi, bashkëshortja te Banka e Shqipërisë. Etilda Gjonaj, bashkëshorti te Drejtoria e Tatimeve. Denis Deliu, bashkëshortja tek Institucioni i Komisionerëve Publikë. Fadil Nasufi, vajza te Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Ferdinad Xhaferraj, vajza te Korporata e Investimeve Shqiptare. Ulsi Manja, bashkëshortja te Banka e Shqipërisë. Elisa Spiropali, bashkëshorti i punësuar si anëtar i Këshillit Drejtues te DPSHTRR.

Fryrja e administratës në prag zgjedhjesh

Në zgjedhjet vendore të 2023, punonjësve të administratës publike iu shpërnda një formular, që kishte si qëllim deklarimin e votës. Punonjësi i administratës duhet ta plotësonte këtë formular me emra konkretë të familjarëve apo miqve, bashkë me të dhënat e tyre, personale dhe të deklaronin se do të votonin PS. Eprorët iu kërkuan punonjësve që të plotësonin një minimum prej 10 emrash në listë, por, kush plotësonte më shumë, “përfitonte” më shumë.

Sidoqoftë, secili prej tyre ishte i detyruar që ta plotësojë listën të paktën me dhjetë emra.  Administrata publike, që përfshin shkollat, spitalet, rendin, pushtetin lokal etj., është punëdhënësi më i madh në Shqipëri. Reforma territoriale, e ndërmarrë nga socialistët apo informatizimi i shërbimeve, rezultoi një përpjekje e dështuar për reduktimin e punonjësve në institucionet publike.

Ndërsa numri i popullsisë rezidente ka ardhur duke u rrudhur, numri i administratës është shtuar me ritme të shpejta nga zgjedhjet në zgjedhje. Të dhënat zyrtare flasin se çdo i punësuar i ri i kushton shtetit 580 mijë lekë në muaj. Sipas të dhënave nga INSTAT-i, në sektorin publik janë aktualisht rreth 185 mijë të punësuar nga 163.885 mijë që ishin në vitin 2013. Pra, kemi 21.000 punonjës më shumë.

Të dhënat e analizuara përgjatë viteve zgjedhore tregojnë qartë se trendi i punësimeve fillon e rritet në prag të fushatave elektorale. Më konkretisht, në vitin 2017, kur u zhvilluan zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit, raportohen 164.339 persona të punësuar në administratën shtetërore. Në zgjedhjet lokale të 30 qershorit 2019, ky numër u rrit me më shumë se 8 mijë punonjës, duke kapur shifrën e 172.745 të të punësuarve në administratën publike.

Në vitin 2021, vit që përkon me zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, numri i të punësuarve në administratën publike u rrit edhe me 10.500 punonjës të tjerë, duke e çuar numrin total në 183.255 të punësuar në administratën publike. Gjatë vitit 2022, INSTAT raporton se administrata publike arriti në 184,396 persona, duke njohur një rritje prej 1.141 të punësuarish.