Ja prapaskenat e përgjimeve me Berberin, si i shpërndau me dorën e saj Balluku për t’i bërë presion Ramës dhe Bollinos

20 Dhjetor 2025
Publikimi i fragmenteve nga përgjimet mes Belinda Ballukut dhe ish-drejtorit të Rrugëve, Evis Berberi, nuk duket si një rrjedhje e zakonshme nga një dosje e SPAK. Përmbajtja e materialeve të dala, si dhe fakti që janë publikuar vetëm pasazhe të caktuara, krijojnë dyshimin se kemi të bëjmë me një shpërndarje të qëllimshme informacioni. Në këtë kuadër, krijohet ideja se Balluku ka zgjedhur të mos qëndrojë pasive, por të përdorë vetë dosjen si mjet presioni.
Dosja e Belinda Ballukut po ruhet në kasafortën e kuvendit dhe është e pamundur të sigurohen materiale pasi e vetmja që e ka marrë atë në duar është ajo dhe avokatët e saj. Informacionet e pakta që kanë dalë dhe duken shumë qartë që janë nxjerrë enkas. Në bisedat që janë përzgjedhur që të dalin nga sekuestrimi i telefonit të Berberit, për tenderat e unazës së re, janë specifikisht urdhrat për disa nga fituesit e tenderit që jepen direkt nga Rama. “Ia ka premtuar Rama atij”, thuhet në një mesazh të shkëmbyer mes Berberit dhe Belinda Ballukut. Fjala është për një bisedë të zhvilluar në 13. 10. 2021, ku bëhet fjalë për supervizimin e një loti të Unazës së madhe të Tiranës.
Këtu gjendet prova se përse Rama duhet ta mbrojë Ballukun, e cila lexohet në një moment tjetër të bisedave ti thotë vartësit të saj Evis Berberi se është e shqetësuar që ai po e anashkalon duke u lidhur direkt me shefin e madh. Dhe deri më tani me skemën e ndjekur mesa duket Balluku ia ka dalë, pasi kryeministri ndryshe nga të gjitha rastet e mëparshme me vartësit që ia ka marrë drejtësia është bërë mburoje e patejkalueshme e saj. Rama i kërkoi Gjykatës Kushtetuese të hidhte poshtë masën e pezullimit nga detyra, gjë që e arriti dhe tashmë ka paralajmëruar se nuk do e dorëzojë në parlament imunitetin e saj, pas kërkesës për arrest të dërguar nga SPAK.
Përgjimet ndaj Bollinos
Gjithashtu përveç presionit ndaj kryeministrit, Balluku është kujdesur që të nxjerrë dhe një fletë të fashikullit ku bëhej fjalë për botuesin italo- shqiptar, Carlo Bollino. Ky i fundit shfaqej duke i kërkuar favore financiare ministres së infrastrukturës, për një të dërguar të tij, biznesmenin Rais Petrela, me të cilin dyshohet se kishte përfitime të përbashkëta. Në mesazhin, të cilin Bollinino ia kishte dërguar në italisht ministres, pretendohej se ajo nuk po e mbante premtimin për ta disbursuar përmes drejtorisë së rrugëve këtë biznesmen. Po të lexohet me kujdes pasazhi, e gjitha është në kuadrin e strategjisë për blerjen e mediave me para në dorë.
Sepse duke ia përcjellë sms e botuesit të Report TV dhe Shqiptarja,com, vartësit të saj Ervis Berberi, Balluku shkruan: “Çunat e tjerë po i mbulojnë nga xhepi i vet mediat. Ty një të kam lënë, e bëre çorap”. Carlo Bollino që me sa duket mbulohej me para publike dhe jo nga “xhepat e çunave” kërkonte nga drejtoria e rrugëve rreth 700 mijë euro për biznesmenin Petrela. Dyshimi është se botuesi mbyllte pazarin dhe ndante lekët me biznesmenin. Kjo del qartë nga biseda që zhvillojnë Balluku me Berberin…. Belinda Balluku: “Therrite ate plehren (Rais Petrelën) që e perfaqeson (Bollinon-në kllapa shenimet e Lapsi.al) dhe thuaji, kjo eshte skema çfare halli ke.. shko sqaro Carlon… thuai mos shkruaj me tek min… ose pastaj harroje bashkepunimin,”. Evis Berberi: “Ok Po është ky plehra që shtyn Carlon se do jetë në hall”.
Nga e gjithë biseda duket haptazi se italo shqiptari Bollino ka ndërhyrë në qeveri për paratë që duhet të marrë biznesmeni, se ashtu siç shkruan Balluku ai ka rënë dakord edhe me kryeministrin Rama për këtë favor dhe se ai i ankohet ministres se pakti nuk është mbajtur nga ana e saj pasi pagesat janë shtyrë për tre vjet dhe një punë e re nuk ka nisur fare. Deri këtu nuk ka ndonjë “scoop” të madh. Që kur ka marrë pushtetin kjo qeveri, Bollino ka përfituar që nga bunk-arti e deri tek urdhrat e Veliajt për ti shtuar reklamën e inceneratorëve, se përpara ishin zgjedhjet. Ajo që mbetet mister është se përse nga dosja voluminoze që po ruhet me fanatizëm, gjëja e parë që doli ishte pasazhi ku njollosej bosi i Report TV dhe Shqiptarja.com? Një hipotezë për të zgjidhur këtë mister lidhet me kthimin e pllakës editoriale të mediave të Bollinos. Që kur u pa se SPAK po ia priste biletën Belës, italo-shqiptari filloi ta lëshojë bamirësen e dikurshme.
Doza e lajmeve kritike u arrit. Dhe qershia mbi tortë u bë një editorial me emër i Bollinos, ku Ballukut i kërkohej në mënyrë të drejtpërdrejtë dorëheqja, sepse përndryshe “…rrezikohet një përplasje e rëndë institucionale mes politikës dhe drejtësisë, një përplasje që nuk do ta shpëtojë Belinda Ballukun nga hetimi, por as nuk do ta ndihmojë vendin në procesin e tij të integrimit europian“. Kjo thirrje e hapur për largim, e shoqëruar edhe me ndryshimin e kursit nga TV kombëtare, që nuk veprojnë pa urdhër të shefit, e ka çuar në skaj paranojën e zv/kryeministres, e cila duke njohur mënyrën që e pohon vetë, atë se si paguhen dhe se si cicërojnë mediat e mëdha, ka dyshuar se mos ka pasur një direktivë nga Rama për të përgatitur terrenin për dorëheqjen e detyruar të saj. Pikërisht me këtë moment përkon edhe “rrjedhja” e të vetmit dokument të publikuar nga dosja e fundit, atij që njollos keqas Carlo Bollinon. A është një koincidencë? Madje fiks pasi gazetari botoi shkrimin ku kërkoi largimin e saj? Vështirë të besohet.
Nga: Gazeta Sot
