“FRIGO FOOD”/ 37.895 kg “Wudy” me bakterin e rrezikshëm kontrabandë, institucionet “mbyllin sytë”

19 Dhjetor 2025
Ndërkohë që Italia numëronte viktima dhe dhjetëra të shtruar në spital nga konsumimi i të njëjtit produkt “Wudy”, në Shqipëri askush nuk dinte të thoshte ku ishte shpërndarë salçiçja e kontaminuar.
Skandali ushqimor i subjektit “Frigo Food”, me administrator z. Sokol Meqemeja, nuk ishte një incident i izoluar, por një alarm kombëtar që u injorua.
Auditimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit , i publikuar nga Ora News, faktoi se qytetarëve shqiptarë u janë shitur 323.6 ton salçiçe të kontaminuara me bakterin e rrezikshëm Listeria monocytogenes. Kjo, është vetëm maja e ajsbergut.
Sipas të dhënave zyrtare të sistemit RASFF të Bashkimit Europian, sasia totale e salçiçeve “Wudy” të importuara në Shqipëri është 407.543 kg.
Ndërkohë, sipas Doganës Shqiptare, importi i deklaruar është 369.648 kg.
Praktikisht 37.895 kg salçiçe“Wudy” rezulton të jetë jashtë çdo deklarimi doganor.
Kjo nuk është thjesht mospërputhje shifrash. Është kontrabandë ushqimore, me pasoja direkte në shëndetin e qytetarëve.
“Frigo Food” ka futur në territorin shqiptar 37.895 kg produkt të kontaminuar pa e deklaruar në doganë, ndërsa dogana, në mënyrë të pashpjegueshme, ka lejuar kalimin e kësaj sasie duke shkelur rregullat bazë doganore.
Dy shkelje madhore, një rrezik i vetëm: shëndeti publik i ekspozuar pa asnjë mbrojtje.
Ndërkohë që Italia numëronte viktima dhe dhjetëra të shtruar në spital nga konsumimi i të njëjtit produkt “Wudy”, në Shqipëri askush nuk dinte të thoshte ku ishte shpërndarë salçiçja e kontaminuar.
Arsyeja sipas KLSH është mungesa e gjurmueshmërisë.
E thënë më thjesht produkti u shpërnda “pa adresë” – pa lot, pa datë, pa gjurmë. Një praktikë e ndaluar qartë nga ligji, sepse në raste urgjente e bën të pamundur mbrojtjen e konsumatorit.
Pavarësisht këtij zinxhiri shkeljesh, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit mjaftohet me një gjobë simbolike prej 200.000 lekësh, një shumë qesharake përballë rrezikut real, dhe më pas deklaron se ka arritur të bllokojë dhe asgjësojë 41.5 ton salçiçe të kontaminuara që nuk ishin shitur ende.
Pyetja që AKU nuk mundi t’i përgjigjen është kjo:
– Si u bllokua një produkt kur nuk dihej se ku ishte shpërndarë?
Ky skandal nuk flet vetëm për një subjekt privat që shkel ligjin. Flet për institucione që zgjedhin të mos shohin, për raporte që “flenë në sirtarë”, dhe për një faturë që në fund nuk e paguajnë fajtorët, por qytetarët me shëndetin e tyre.
Në këtë skandal, më e rënda nuk është ajo që dimë. Është ajo që ende po fshihet.
