Ja masat e marra nga qeveria greke për të përballuar rritjen çmimeve. – Nga subvencioni për naftën te ‘Karta Dixhitale e Karburantit’ dhe ndihma për fermerët! Ja masat e marra nga qeveria greke për të përballuar rritjen çmimeve

23 Mars 2026
Një paketë prej katër masash të synuara me vlerë totale 300 milionë euro për periudhën prill-maj është shpallur nga kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, me qëllim përballimin e rritjes së çmimeve të energjisë dhe mbështetjen e qytetarëve dhe sektorëve kyç të ekonomisë.
Sipas njoftimit zyrtar, masat përfshijnë zgjerimin e kritereve të përfitimit për subvencionin e karburantit, në mënyrë që të mbulojë rreth 3 nga 4 milionë pronarë automjetesh në vend, si dhe ndërhyrje të drejtpërdrejta në çmimet e naftës, bujqësisë dhe transportit detar.
Katër masat kryesore
1-Subvencion për naftën:
Qeveria do të subvencionojë naftën e përdorur për transport me 16 cent për litër në rrjetin e shpërndarjes, çka përkthehet në një ulje përfundimtare prej rreth 20 cent për litër, përfshirë TVSH-në.
2-Karta Digjitale e Karburantit:
Do të ofrohet një kartë digjitale për të përballuar rritjen e çmimeve të benzinës, e cila mund të përdoret në pika karburanti, transport publik dhe taksi. Mbështetja mesatare llogaritet në 36 cent për litër, duke përkthyer në rreth 50 euro për dy muaj në territorin kontinental dhe 60 euro për banorët e ishujve.
3-Mbështetje për fermerët:
Për të lehtësuar barrën nga rritja e çmimeve të plehrave kimike, shteti do të subvencionojë 15% të kostos së faturave të blerjes për fermerët.
4-Kompensim për kompanitë e trageteve:
Parashikohet një mekanizëm kompensimi për kompanitë e transportit detar, i lidhur me zbatimin e detyrueshëm të uljeve në çmimet e biletave, me synim mbajtjen e tyre pranë niveleve të vitit të kaluar.
Financimi dhe deklaratat
Qeveria bëri të ditur se kostoja e paketës do të mbulohet nga buxheti i shtetit, si dhe nga taksimi i fitimeve në platformat e lojërave të fatit online të tipit kazino, duke siguruar rreth 100 milionë euro.
Në deklaratën e tij, Kyriakos Mitsotakis theksoi se këto masa janë rezultat i një menaxhimi të kujdesshëm fiskal dhe synojnë të forcojnë mbrojtjen sociale në një periudhë pasigurie ekonomike globale. Ai shtoi se qeveria ruan rezerva për ndërhyrje të mëtejshme në rast përkeqësimi të situatës ndërkombëtare.
