16 Gusht 2023

Biznesmeni Ilir Rrapaj, i cili kërkohej nga Prokuroria e Posaçme Anti-Korrupsion për t’u marrë në pyetje për koncesion e sterilizimit, është ndaluar nga policia në jug të vendit mbrëmjen e sotme (16 Gusht).

Sipas gazetares, Klodiana Lala, biznesmeni, fitues i tenderit, po shoqërohet në drejtim të SPAK për të dhënë shpjegime për hetimin për koncesionin e sterilizimit.

Prokuroria e Posaçme kishte bërë një njoftim në kufi që Rrapaj të shoqërohej për t’u marrë në pyetje nëse paraqitej në hyrje apo dalje të pikave kufitare.

Nuk dihet ende nëse SPAK do ta arrestojë apo jo biznesmenin.

Më herët SPAK ka marrë dëshminë e ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj, ish-zv.ministri Klodian Rjepaj dhe ish-ministrja e Financave, Anila Denaj.

Gjatë kohës që Ilir Beqja drejtoi Ministrinë e Shëndetësisë, dha me koncesion shërbimin e sterilizimit.

Ky koncesion prej 100 mln eurosh është fituar nga “Sani Service” e biznesmenit Ilir Rrapaj.

Në vitin e parë të kontratës nga buxheti i shtetit janë paguar 17 mln euro, nga 12 që parashikonte kontrata.

Koncesioni i sterilizimit është kallëzimi i parë në SPAK nga opozita.

Çfarë është kontrata e sterilizimit

Koncesioni i sterilizimit kaloi në duart e prokurorëve të SPAK në korrik 2022, të cilët nisën hetimin për të zbardhur procedurat e dhënies me koncesion të këtij shërbimi.

Ajo është një prej katër projekteve të PPP nne mbështetje buxhetore në shëndetësi që e ka zanafillën në mandatin e parë qeverisës të kryeministrit Edi Rama. Kontrata u firmos në vitin 2015 mes ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqja dhe kompanisë koncesionare SaniService –aksionerët e së cilës janë Investital LLC dhe kompanitë italiane “Servizi Italia”, “Tecnosanimed” dhe “U.Jet S.r.l”.

Paketën më të madhe të aksioneve në këtë koncesion e zotëron Investital LLC- një kompani e vogël e themeluar me kapital 1 mijë euro në Kosovë nga Ilir Rrapaj. Sipas të dhënave të publikuar nga BIRN pak kohë më parë rezulton se Rrapaj u kthye në Shqipëri pas zgjedhjeve të vitit 2013 dhe para se të fitonte koncesionin, vendosi kontakte të shpeshta me ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

Elektrobisturia është pjesë e njërit prej seteve kirurgjikale, që kompania koncesionare “SaniService” i shet Ministrisë së Shëndetësisë për çmime që variojnë nga 16 mijë lekë deri në 45 mijë lekë (me TVSH) për çdo ndërhyrje.

Kontrata e Partneritetit Publik Privat për sterilizimin e instrumenteve kirurgjikale është në vitin e shtatë të operimit, dhe ka shënuar rritje të ndjeshme të kostove të parashikuara.

Anëtarët e komisionit që përgatiti studimin e fizibilitetit për koncesionin e sterilizimit i thanë Prokurorisë se qendra nuk ishte vënë në punë prej tetë vitesh për shkak të mungesës së stafit të trajnuar. Ata e përdorën atë si një argument më shumë se pse shërbimi duhej dhënë me koncesion.

Si nisën hetimet

I pari që u mor në pyetje nga prokurorët ishte anëtari e Komisionit të Koncesionit, Saimir Kadiu, si dhe më pas anëtarët e Komisionit të Tenderit. Procedura për sterilizimin e seteve kirurgjikale është dosja e parë e SPAK edhe ishte nën hetim prej 3 vitesh.

Kallëzimi u bë nga përfaqësues të Nismës Thurje, të cilët kanë denoncuar penalisht zyrtarët e përfshirë në dhënien me koncesion të procesit të sterilizimit.

Ata kanë kërkuar hetimin e zyrtarëve duke nisur nga ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja, të cilët sipas tyre kanë abuzuar me buxhetin e shtetit.

Gazeta Panorama