irene papas

14 Shtator 2022

Ka ndërruar jetë në moshën 96-vjeçare, aktorja shqiptare me famë botërore, Irena Pappas.

Origjina shqiptare e aktores së njohur greke Irena Papa Leleku, është kundërshtuar shpesh, sidomos nga biografët grekë. Gjatë bashkëbisedimeve që ka pasur me aktorin shqiptar Bekim Fehmiu ajo e ka pranuar origjinën e saj shqiptare.

Prejardhjes së saj shqiptare i ka kushtuar vëmendje dhe studiuesi grek Aristidh Kollia në librin e tij “Arvanitasit dhe origjina e grekëve” botuar në Athinë më 1983.

Vetë aktorja në një intervistë e pyetur se përse ishte kaq esmere është përgjigjur se “I ngjaj nënës sime. Nëna ime ishte ezmere si unë.”

Irene Papas së bashku me aktorin e njohur shqiptar kanë luajtur në filmin e titulluar “Një fëmijë i quajtur Jezus”, atje ajo ka bërë të ditur se ka origjinë shqiptare.

Irena Papas Bekim Fehmiu

“Unë nuk mund ta lë këtë botë duke mos e thënë të vërtetën. Unë jam shqiptare. Kam lindur në vitin 1926 dhe mbiemri im fillimisht ka qenë Leleku”, ka thënë ajo.

Irene Leleku, Papas, ka luajtur role të ndryshme në 90 filma.

Roli i saj më i shquar është ai i Penelope, në serialin italian “Odiseu” së bashku me legjendarin kosovar, Bekim Fehmiu.

Ajo fitoi njohje ndërkombëtare përmes filmave të tillë të njohur të vlerësuar me çmime si The Guns of Navarone (1961) dhe Zorba the Greek (1964). Ajo ishte një protagoniste e fuqishme në filma duke përfshirë The Trojan Women (1971) dhe Ifigenia (1977). Ajo luajti rolet kryesore në Antigone (1961) dhe Electra (1962). Ajo gjithashtu luajti Drosoula-n e paharrueshme në Mandolinën e Kapitenit Corelli (2001).

Irena Papas

Papas fitoi çmimet e aktores më të mirë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Berlin për Antigone dhe nga Bordi Kombëtar i Rishikimit për The Trojan Women. Çmimet e saj të karrierës përfshijnë çmimin “Shigjeta e Artë” në 1993 në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Hamptons dhe çmimin “Luani i Artë” në 2009 në Bienalen e Venecias.