
ILD injoron Ramën dhe refuzon të nisë hetim ndaj prokurores Elsa Gjeli.
Nga Gazeta Sot
Inspektori i Lartë i Drejtësisë (ILD) ka vendosur të mos nisë një hetim disiplinor ndaj prokurores së Shkodrës, Elsa Gjeli, e cila ishte akuzuar nga qeveria për mosveprim ndaj një ndërtimi pa leje në zonën e Thethit, duke injoruara kështu kryeministrin Edi Rama. Në një letër drejtuar ish-ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja, ILD bën me dije se pas verifikimeve paraprake të ankesës së dorëzuar më 10 korrik 2025, nuk janë konstatuar elementë juridikë apo faktikë që të ngrejnë dyshime të arsyeshme për nisjen e hetimit disiplinor ndaj magjistrates Gjeli. “Arkivimin pas verifikimit të ankesës së Ministrit të Drejtësisë, z. Ulsi Manja, të regjistruar me nr. 2138 prot., datë 10.07.2025, ndaj veprimtarisë së magjistrates znj.Elsa Gjeli, prokurore e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër”, thuhet në vendim. Po ashtu, ILD i njeh ministrit të Drejtësisë të drejtën për të ankimuar këtë vendim brenda një jave në Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Kujtojmë se Prokurorja Elsa Gjeli u kritikua ashpër nga kryeministri Edi Rama më 7 korrik 2025, lidhur me një vendim mosfillimi të një çështjeje penale për ndërtimin pa leje, që u bë shkas për një operacion prishjesh në Theth. Rama i referohej një serie kabinash të ndërtuara pranë kishës së fshatit në Theth, si “fshat turistik” i lidhur me një kriminel.
Metani komenton sulmet e Ramës
Ndërkohë nga ana tjetër, kreu i ILD, Artur Medani ka komentuar dje sulmet nga politika dhe kryeministrit Edi Rama, ndaj gjyqtarëve lidhur me vendimet që ata marrin. Ai tha se drejtësia kohët e fundit është vënë në trysni antikushtetuese. Deklarata u bë gjatë një takimi të organizuar dje nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, në bashkëpunim me projektin Matra, të qeverisë së Mbretërisë së Holandës, ku pjesë ishte dhe kreu i SPAK Altin Dumani. “U bë kohë që sistemi gjyqësor është nën një trysni, për mua antikushtetuese, për të ushtruar detyrën ose jo, në një formë të caktuar. Nga të gjithë. U bë kohë që fyerjet për magjistratët janë pjesë më e konsiderueshme e artikulimit kur vjen puna tek kritikat për pushtetin gjyqësor. Natyrisht, të papranueshme këto në çdo pikëpamje. Kjo i vë magjistratët në provë të vështirë. Por, testi i pavarësisë, i ndarjes se pushteteve dhe i shtetit te se drejtës, nuk është vetëm retorikë”, shprehet Metani. Metanin shtoi se duhet vetëpërmbajtje dhe distancim nga deklaratat publike. Kreu i ILD sqaron se përgjigja direkte e këtyre reagimeve nuk është punë e asnjë gjyqtari dhe se mosreagimi nuk është dobësi nga ana e tyre, por është vetëpërmbajtje. “Ndryshe nga pushtetet apo institucionet e tjera, magjistratët dhe institucionet e pavarura të drejtësisë e kanë një lloj kufizimi, që vjen me detyrën për t’u treguar të përmbajtur, edhe kur sulmohen pa të drejtë. Mes zërave të fortë publikë, kjo i bën që të perceptohen si të dobët, por nuk është aspak ky rasti. Vetëpërmbajtja nuk duhet ngatërruar me dobësinë. Pavarësisht deklaratave të aktorëve të ndryshëm publikë, magjistratët nuk duhet të harrojnë se reagimet publike nuk janë pjesë e funksionit të tyre. Por, vetëpërmbajtja po! Vetëpërmbajtja nuk është dobësi e asnjë lloj natyre, por respekt për lirinë e shprehjes në demokraci, është largësi kushtetuese nga natyra politike e pushteteve të tjera”, nënvizoi Dumani.