“I uroj fitoren oligarkëve ”/ Kryemadhi kërkon falje pas humbjes në zgjedhje: LSI zgjodhi një strategji të gabuar duke djegur mandatet dhe…

28 prill 2021

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka kërkuar falje publike për strategjinë e gabuar që LSI ndoqi në opozitë, duke djegur mandatet dhe duke mos marrë pjesë në zgjedhjet lokale të 2019.

Në një deklaratë për mediat, pas humbjes në zgjedhjet e 25 prillit në mënyrë ironike i ka uruar fitoren socialistëve duke thënë: “I uroj fitoren oligarkëve dhe bandave”.

Kryetarja e LSI falenderoi të gjithë votuesit e LSI, ndërsa u shpreh se shumica e votave të pavlefshme ishin të Lëvizjes Socialiste për Integrim.

“Së pari, dua të uroj fitoren e oligarkëve dhe bandave, sepse ata janë fituesit e vërtetë të zgjedhjeve që sapo kaluam dhe ata janë të parët që duhen uruar.

Së dyti, uroj Presidentin Vuçiç për sondazhet e sakta që dha për zgjedhjet në Shqipëri.

Sot u mbyllën rezultatet e zgjedhjeve për mandatet e partive politike. Dua të falënderoj 107 mijë votuesit e vlefshëm, që ia dhanë votën LSI-së dhe dua të falënderoj edhe 21 mijë votuesit e pavlefshëm, ku 70 për qind e tyre janë votues të LSI-së.

Ky vjen një falënderim zemre, një falënderim shpirti për të gjithë të rinjtë dhe të rejat, për gjithë burrat dhe gratë, të cilët nuk pranuan as të intimidohen, as të shiten. Nuk u trembën nga kërcënimet, por përkundrazi vazhduan betejën e tyre deri në fund.

Makineria mediatike kundër LSI-së, politike, mediatike, oligarkike, e cila nuk u tërhoq në asnjë moment prej dy vitesh, që në momentin kur ne, si LSI, fatkeqësisht zbatuam një strategji, e cila pati pasojat në këtë rezultat dhe që nuk reflektoi vullnetin e qytetarëve për ndryshim, ku patëm një strategji të gabuar, duke filluar që nga djegia e mandateve, mos marrja pjesë në zgjedhjet lokale, gjë që në mënyrë të qëllimshme, i dhamë dashje pa dashje të gjitha pushtetet në dorë Edi Ramës, bandave dhe oligarkëve për të tjetërsuar që nga Kushtetuta, për të vazhduar në rrëmbimin dhe grabitjen e pronave të shqiptarëve. Për t’ju dhënë shansin dhe mundësinë jo për të blerë katër vitet e ardhshme me 500 euro votën, por për të blerë 100 vitet e ardhshme me 500 euro votën.

Kjo gjë dhe koha, dhe ky rezultat tregoi që shqetësimi i Presidentit të Republikës ishte i drejtë, për këtë situatë në të cilën ne gjendemi sot. Prandaj, dua që edhe në emër të LSI, edhe timin personal, ti kërkoj falje për këtë çast, për këtë veprim dhe për këtë qëndrim, i cili nuk solli gjë tjetër veçse 70 për qind të ndryshimit që donin shqiptarët, 70 për qind të shqiptarëve që donin ndryshimin, nuk solli gjë tjetër, por solli vetëm rrëmbimin dhe fitoren e zgjedhjeve nga bandat kriminale dhe nga oligarkët”, tha Kryemadhi.

Gazeta Panorama