12 Prill 2026

Euforia e IA-së po krijon një problem të madh për elektronikën e konsumit. Çmimet po shpërthejnë për një komponent thelbësor

Prodhuesit e pajisjeve elektronike në botë, të mbledhur së fundmi në Las Vegas për Panairin e Elektronikës për Konsumatorët (CES), do të ishin të justifikuar po të kishin ndjenja të përziera për këtë vit. Entuziazmi për pajisje të reja të zgjuara, të fuqizuara nga Inteligjenca Artificiale është po aq i fortë sa kurrë.

Por, duke gëlltitur sasi të mëdha çipash memorie, të domosdoshme për gjithçka nga telefonat inteligjentë dhe kompjuterët personalë (PC) deri te pajisjet e lojërave dhe makinat, IA po krijon probleme furnizimi për prodhuesit e elektronikës, shkruan The Economist.

Jeffrey Clarke, drejtori operativ i Dell, prodhues kompjuterësh, e ka quajtur situatën “mospërputhjen më të paprecedentë mes kërkesës dhe ofertës” që ka parë ndonjëherë. Xiaomi, prodhuesi kinez i telefonave inteligjentë, ka paralajmëruar për vonesa dhe rritje çmimesh.

Analistët parashikojnë se çmimet e PC-ve mund të rriten me 15–20% si pasojë. IDC, një shoqëri kërkimore, vlerëson se nëse kjo situatë vazhdon, dërgesat globale të telefonave inteligjentë mund të bien deri në 5% këtë vit, ndërsa shitjet e PC-ve rreth dyfish më shumë se kaq.

Gjysmëpërçuesit janë një industri ciklike, që priret të kalojë nga teprica në mungesë. Por ky cikël mund të jetë ndryshe, pasi kërkesa për IA po riformëson mënyrën se si çipat e memories prodhohen, vlerësohen dhe shpërndahen. Për konsumatorët, pasojat mund të zgjasin me vite.

Në qendër të këtij problemi qëndron DRAM-i, memoria që përdoret në telefonat inteligjentë, laptopë dhe serverë. Procesorët e avancuar të IA-së, si ata të prodhuar nga Nvidia, varen nga një variant i specializuar i njohur si memorie me gjerësi të lartë (HBM), e cila vendos çipat vertikalisht për të rritur shpejtësinë dhe për të ulur konsumin e energjisë.

Ndërtimi i shpejtë i qendrave të të dhënave ka bërë që kërkesa për HBM të shpërthejë. Prodhimi i saj kërkon përdorimin e shumë burimeve: HBM kërkon tre deri në katër herë më shumë pllaka silici sesa DRAM-i standard.

Oferta është jashtëzakonisht e përqendruar. Vetëm tre kompani, SK Hynix dhe Samsung Electronics nga Koreja e Jugut, si dhe Micron nga SHBA-ja, kontrollojnë mbi 90% të të ardhurave globale nga DRAM-i dhe  po e zhvendosin kapacitetin drejt HBM-së, e cila, sipas Bloomberg Intelligence, do të përbëjë gjysmën e të ardhurave globale nga DRAM-i deri në fund të dekadës, nga 8% që ishte në vitin 2023.

HBM zakonisht gjeneron marzhe operative rreth 50% ose më shumë, krahasuar me rreth 35% për memorien standarde. Investitorët e kanë shpërblyer këtë strategji: që nga fillimi i vitit 2025, çmimet e aksioneve të këtyre tre kompanive janë rritur mesatarisht me 200% (shih grafikun 1).

Ana tjetër e medaljes është se çipat bazë të memories, të cilët përbëjnë 15–40% të kostos së telefonave inteligjentë dhe PC-ve, po bëhen më të rrallë dhe më të shtrenjtë. Çmimi i DRAM-it që përdoret në shumicën e pajisjeve të konsumit, i njohur si DDR4, është rritur me 1,360% që nga prilli i vitit 2025 (shih grafikun 2).

Ndikimi do të jetë i pabarabartë. Apple, me pajisjet e saj të shtrenjta dhe shkallën e madhe të prodhimit, do të jetë më e aftë të përballojë kostot më të larta dhe të sigurojë furnizim. Samsung do të përfitojë nga prodhimi i brendshëm i memories. Të tjerët nuk janë kaq me fat.

Asus, prodhues tajvanez i PC-ve, i rriti çmimet e laptopëve më 5 janar. Xiaomi ka thënë se kostot e memories do të kenë “ndikim të madh” mbi marzhet. Prodhuesit e makinave mund ta ndiejnë më fort trysninë: ndërsa automjetet përfshijnë gjithnjë e më shumë elektronikë, sasia e DRAM-it për makina po rritet me shpejtësi.

Lehtësimi do të vijë ngadalë. Prodhuesit e memories planifikojnë të shpenzojnë rreth 61 miliardë dollarë për investime kapitale në DRAM këtë vit, një rritje prej 14% krahasuar me 2025-n. Por kapaciteti i ri kërkon deri në dy vjet për të hyrë në punë. Për më tepër, 60–70% e investimeve të planifikuara janë destinuar për HBM, sipas Jukan Choi nga Citrini Research.

Prodhuesit kinezë, të cilët vitet e fundit janë bërë furnizues të mëdhenj të DRAM-it bazë, nuk ka gjasa ta mbushin boshllëkun; edhe ata po fokusohen te HBM. Për momentin, vetëm një rënie e bumit të IA-së do ta zbusë mungesën. Konsumatorët së shpejti mund ta ndiejnë pasojat./MONITOR