Homeri i dilemave të mëdha, midis tij si koncept, verbërisë si simbolik e hyjnores, historisë dhe mitit

2 Dhjetor 2025
Poeti i verbër Homeri, ekzistenca historike e të cilit mbetet ende e paqartë dhe e mbështjellë me një mantel të trashë mister, njihet, edhe pse jo i gjithëpranuar si autori i Iliadës dhe Odisesë, dy kryeveprat epike, monumente të kulmimit klasik dhe themelet mbi të cilat u ngrit tempulli i mendimit dhe kulturës letrare perëndimore, sa herë që kthehet në vëmendje, grish e tundon.
Identiteti i “Homerit”, ishte, është dhe do të mbetet një realitet i padeshifrueshëm që në përpjekjet për ta zhveshur nga legjenda duket sikur shpërbëhet. Studiuesit në përgjithësi e konsiderojnë konceptin e lashtë të një autori të vetëm pas Iliadës dhe Odisesë si një rrëfim fiktiv.
Gjatë antikitetit, detajet biografike rreth jetës së Homerit u mitizuan gjithnjë e më shumë për shkak të anonimitetit të tij dhe besohej gjatë asaj periudhe se ai jetoi pas Luftës së Trojës. Dy biografitë më të njohura antike të Homerit janë Jeta e Homerit nga Pseudo-Herodoti dhe Gara e Homerit dhe Hesiodit, të cilët e pamundësuan prurjen e tij të dritur në shukueshmëri të pamohueshme faktesh.
Rreth tij endet një aureolë mitike e tejlashtë, ku faktet dhe legjendat ndërthuren aq fort sa është e vështirë të ndash të vërtetën nga trillimi. Që nga antikiteti, figura e tij ka provokuar kureshtje, dyshime, interpretime të pafundme dhe debate të zjarrta akademike, të njohura botërisht si “çështja homerike”.
Sipas traditës, Homeri ka jetuar në shekullin VIII para Krishtit dhe ka qenë i verbër, një verbëri që, në botën greke, nuk përkufizohej si dobësi, por si një privilegj i mistershëm, shenjë e lidhjes së veçantë me muzat, me frymëzimin hyjnor dhe me thellësinë intuitive që i paraprin çdo gjuhe poetike. Kjo legjendë e verbërisë u bë edhe më e gjallë nga prania e këngëtarit të verbër në vetë Odisenë, një lloj alter ego poetik që duket sikur Homeri e fut në tekst për të shpallur origjinën e vet hyjnore të këngës.
Sipas një prej etimologjive tradicionale, emri “Homer” rrjedh nga “ho mē horōn” – “i verbri”, ose nga ideja e “pengut”, si të ishte një emër simbolik, një pseudonim i një poeti të jashtëzakonshëm që preferoi të mbetej i paidentifikuar në jetën reale. Për shumicën e autorëve të lashtësisë, megjithatë, “Poeti” ishte e vetmja mënyrë e duhur për ta thirrur.
Ashtu si misteri i emrit, edhe vendlindja e poetit ka mbetur e paqartë. Shtatë qytete, nga smirë e lavdi, pretenduan nderin e të qenit djepi i Homerit, ndër to edhe ishulli i Kios, i cili nderohej që nga koha e Pindarit si atdheu i bardëve homerikë, një vëllazëri recituesish që pretendonin prejardhje të drejtpërdrejtë nga poeti i madh. Në të vërtetë, këto mite të shumta mbi origjinën e tij dëshmojnë jo aq jetën e Homerit, sesa madhështinë e ndikimit të tij, çdo qytet kërkonte një pjesë të lavdisë që ai u kishte dhënë grekëve.
Edhe për periudhën e jetës së tij ka qëndrime krejt të kundërta. Disa e vendosin në prag të epokës arkaike, të tjerë më herët, të tjerë më vonë. Mangësia e burimeve, natyra orale e traditës dhe distanca e madhe kohore i kanë lënë studiuesit të hamendësojnë, shpesh duke ndërthurur gjurmët poetike me analiza gjuhësore, arkeologjike dhe mitologjike.
Ndërkohë, arti figurativ i lashtësisë na ka lënë portrete të shumta të Homerit, të cilat më shumë interpretojnë sesa paraqesin. Në shumicën prej tyre ai shfaqet si një burrë i moshuar, me mjekër të gjatë, me fytyrë të përqendruar, me sy të thelluar në zgavra, shenjë e verbërisë. Rrudhat e theksuara që i përshkojnë ballin nuk simbolizojnë domosdoshmërisht moshën, por janë një konvencion artistik për të shprehur mendimin e thellë, kujtesën e jashtëzakonshme dhe peshën e reflektimit që i atribuonte frymëzimit poetik.
Megjithëse “çështja homerike” nuk është më në qendër të studimeve filologjike me intensitetin e dikurshëm, figura e poetit të verbër vazhdon të ushqejë imagjinatën dhe kulturën bashkëkohore. Ai mbetet një figurë që magjeps, jo vetëm për misterin që e rrethon, por edhe për fuqinë e pakrahasueshme të vargut të tij, i cili, përmes shekujsh, ka formësuar mënyrën se si njerëzimi ka kuptuar heroizmin, fatin, dashurinë, luftën dhe vetë kuptimin e jetës. Homeri, pavarësisht mjegullës së legjendës, është i gjallë aq sa janë të gjalla vargjet e tij, dhe pikërisht këto vargje janë dëshmia më e fuqishme se një poet i tillë, qoftë real apo mitik, duhej medoemos të kishte ekzistuar.
Megjithatë, prej shekujsh ka qarkulluar një aludim i fortë që dërgon drejt një piste krejt tjetër, Homeri mund të mos ketë qenë krijuesi i Iliadës dhe Odisesë, por vetëm mbledhësi dhe përmbledhësi i këngëve të vjetra epike, të ruajtura në kujtesën e rapsodëve dhe të kënduara nëpër kremte, festivale e sheshe qytetesh. Tradita e aedëve, këngëtarëve udhëtarë që transmetonin rrëfimet e lashta në formë orale, ka lënë gjurmë të qarta në tekst,formula ritmike të përsëritura, epitete të pandryshueshme, vargje që rikthehen si shenja mnemonike, elemente tipike të një poezie që nuk shkruhet, por mbahet mend.
Kjo ka bërë që shumë filologë, nga antikiteti deri te studiuesit modernë, të dyshojnë se dy epikat nuk janë vepra e një autori të vetëm, por bashkim i shtresëzuar i shumë këngëve të pavarura, të cilat Homeri, ose figura që tradita e quan kështu, i rreshtoi, i sistemoi dhe i ngriti në strukturën monumentale që njohim sot. Në këtë këndvështrim, ai është më shumë një “poet i madh redaktues”, një dorë unifikuese që i dha formë përfundimtare një trashëgimie mijëravjeçare, sesa autori i vetëm që i krijoi nga hiçi këto dy universet epike të njerëzimit.
