6 Tetor 2025

Qeveria holandeze ka vendosur të kthejë në Indonezi mbi 28,000 fosile nga koleksioni i famshëm botëror, pas përfundimeve të Komitetit Holandez për Koleksionet Koloniale, i cili konstatoi se fosilet u nxorën gjatë epokës koloniale dhe “kundër vullnetit të popullit”, njoftoi sot Ministria e Arsimit, Kulturës dhe Shkencës.

Koleksioni historik i njohur si “Koleksioni Dibo” përfshin një fragment kafke të zbuluar nga lumi Solo në ishullin Java, i njohur si prova e parë fosile e Homo erectus dhe shpesh quhet “Njeriu i Java-s”. Ky fosil konsiderohet një paraardhës i Homo sapiens dhe ka rëndësi të madhe për historinë e evolucionit njerëzor, raporton AP.

Fosilet u gërmuan në fund të shekullit të 19-të nga anatomisti dhe gjeologu holandez Eugène Dubois, kur Indonezia ishte koloni e Holandës. Pas një hetimi të gjerë, komiteti arriti në përfundimin se mënyra se si u morën fosilet përbënte “një akt padrejtësie ndaj popullit indonezian”.

Ministri holandez i Arsimit, Kulturës dhe Shkencës, Guke Moes, nënshkroi sot një marrëveshje për kthimin e fosileve me homologun e tij indonezian, Fadli Zon, në Muzeun Naturalis në Leiden, ku koleksioni ndodhet aktualisht. Ky vendim është pjesë e një serie masash të qeverisë holandeze për kthimin e objekteve të marra gjatë epokës koloniale.