Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për tjetërsim të pronës ndaj institucionit të drejtuar nga Erion Veliaj. Dosja penale është regjistruar pas denoncimit të pronarit të truallit ku po ndërtohet Tregu Ushqimor për shitje me shumicë dhe pakicë në Farkë, i cili akuzon se jo vetëm që nuk është shpronësuar, por as është njoftuar për vendimin e marrë nga Bashkia Tiranë.

Ndërtimi në Farkë i Tregut Ushqimor për Shitje me shumicë dhe pakicë të mallrave ka sjellë nisjen e një hetimi në prokurorinë e Tiranës, kundër zyrtarëve të bashkisë së kryeqytetit.

Bëhet fjalë për një investim prej 235.4 milion lekë që po kryhet nga bashkia e Tiranës mbi një pronë private që ndodhet në Farkë, mes regjimentit të Helikopterave dhe qendrës tregtare TEG.

Ora News mëson se pas një kallëzimi penal të bërë në muajin shkurt 2022 nga Ramazan Leci, prokurori Arben Agovi, është vënë në lëvizje duke hetuar rastin e tjetërsimit të pronës private në dobi të bashkisë së Tiranës.

Në dosjen hetimore tregohet se kallëzuesi Ramazan Leci disponon në zonën e Farkës së Madhe një sipërfaqe toke prej 4094 m2, të cilën e ka të rregjistruar me certifikatë hipotekore si dhe 63 mijë e 800 metra tokë, të cilën e disponon me dokumentin e Aktit të Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP).

Mbi këto numër pasurie janë duke u zhvilluar punimet nga firmat ndërtuese, të cilat kanë lidhur një kontratë me Bashkinë Tiranë, për ndërtimin e tregur.

Nga ana e Bashkisë, së drejtuar nga Erjon Veliaj, në fund të muajit dhjetor 2021, është vendosur në pronën e Lecit një tabelë, ku njoftohej fillimi i punimeve për ndërtimin e tregut të shitjes me shumicë dhe pakicë të produkteve ushqimore.

Vendosja e kësaj tabele dhe fillimi i punimeve nga ana e shoqërive “Kacdedja” Shpk dhe shoqërisë “A@E Engineering” është bërë pikërisht mbi dy pronat e përmendura që zotërohen nga Ramazan Leci.

Hetimet e kryera nga prokuroria e Tiranës, rezulton se nga ana e Bashkisë nuk është njoftuar për nisjen e punimeve dhe për rrjedhoje pronari i Tokës, Ramazan Leci, nuk ka marë pjesë në asnjë procedurë administrative si titullar i të drejtës së pronësisë, mbi të cilën Bashkia Tiranë po zhvillon projektin për ndërtimin e tregut.

Më datë 16 dhjetor 2021, kallëzuesi i është drejtuar Bashkisë Tiranë me një kërkesë për informacion dhe dokumentacion mbi këtë projekt, por në dosje thuhet se si përgjigje ka marrë vetëm një shkresë ku i njoftohet se Bashkia Tiranë ka miratuar projektin për ndërtimin e tregut sipas një vendimi të Këshillit Teknik.

Mësohet se për ngritjen e këtij tregu, në muajin maj të vitit 2019, është themeluar shoqëria “Tirana Agrikulturë” sh.p.k, shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e zotëruar në masën 100 përqind të kapitalit të shoqërisë nga Bashkia e Tiranës.

Kjo kompani ka si objekt veprimtarie, ofrimin e shërbimeve në fushën e bujqësisë, blegtorisë, agrikulturës, si dhe grumbullimin dhe shitjen e këtyre produkteve.

Në dokumente është përcaktuar edhe vendi ku do të ngrihet ky treg, i cili do të jetë me sipërfaqe totale 29.450 m2 e ndodhur në Farkë të Vogël.

Tv Ora