Gruaja e parë në krye të Kishës Anglikane, Sara Malali merr zyrtarisht postin e Kryepeshkopes së Canterbury-t

29 Janar 2026
Postin e Kryepeshkopit të Canterbury-t e mori zyrtarisht Sara Malali, gruaja e parë që vihet në krye të Kishës Anglikane. 63-vjeçarja do të fronëzohet në Katedralen e Canterbury-t në muajin mars, ku do të mbajë edhe predikimin e saj të parë si Kryepeshkope, duke shënuar fillimin e shërbesës së saj publike.
Kryepeshkopja e re, e cila do të shërbejë si udhëheqëse shpirtërore e rreth 85 milionë të krishterëve në 165 vende në mbarë botën, brenda Komunitetit Anglikan, dha betimin e besnikërisë si Kryepeshkopja e 106-të e Canterbury-t, përpara peshkopëve të lartë që veprojnë si Komisionerë Mbretërorë nën autoritetin e Mbretit Çarls.
Kush është Sara Malali?
Sipas një raportimi të Sky News, Sara Malali ka lindur në Woking të Mbretërisë së Bashkuar më 26 mars 1962. Ajo ka studiuar infermieri në South Bank University dhe ka përfunduar gjithashtu një master në Heythrop College të Universitetit të Londrës. Është e martuar me Eamon Malali dhe ka dy fëmijë.

Malali ka punuar si infermiere në spitalet St Thomas, Royal Marsden dhe Chelsea and Westminster. Nga viti 1999 deri në vitin 2004, ajo shërbeu si drejtuese e shërbimit infermieror në Ministrinë e Shëndetësisë, duke u bërë në moshën 37-vjeçare gruaja më e re që ka mbajtur ndonjëherë këtë post.
