Greqia ngre duart lart për Teqen Bektashiane që strehoi njerëzit e Nolit: – Pronë e shtetit shqiptar

Historiani i njohur shqiptar, Arben Llalla ka publikuar historinë e Teqes Bektashiane që është lënë në harresë nga qeveritë.

Përmes një statusi në Facebook, Llalla shkruan se Teqeja Bektashiane që ndodhet në Asprogjia të Farsalon në Larisë është lënë në harresë pasi në vitin 2004 ministri grek i kulturës, Petros Tatulis vendosi që kjo Teqe mos të ri-konstruktohet pasi sipas Ligjit të Luftës ndalohet çdo ndërhyrje e riparim I saj pasi është pronë e shtetit shqiptar.

Postimi i plotë i historianit:

“Teqeja Bektashiane që ndodhet në Asprogjia të Farsalon që i përket Komunës së Polidhamanda në Prefekturën e Larisës, dhe quhet Teqe Ireni ose Teqeja Asprogjia. Në këtë zonë dikur ka patur tre Teqe: 1.-Asprogjia-Ireni, 2.-Zoodhohos Pigjia, 3.-Dhilofos. Teqja e Asprogjia-Ireni mendohet se është ndërtuar më 1770 dhe i përket sektit Mevlevi. Në vitin 1888 në këtë Teqe thuhet se ka patur 55 dervishë.

Për Teqen e Asprogjias kanë shkruar William Martin-Leake i cili e përmend atë në Nëntor të 1805. Andrea Karkavica shkruan se kjo Teqe është ndërtuar mbi themelet e një Manastiri Katolik të cilin e kishin braktisur më 1640. Teqeja u ndërtuan nga një shqiptar i quajtur Durbali Baba Shehu, Teqe ka dy Tyrbe dhe varret e dervishëve rreth tyre.
Më 1914 e vizitojë Teqen, arkeologu dhe historiani Frederick Hasluck i cili i ka kushtuar një kapitull të tërë në librin e tij.

Thuhet se pas vitit 1925 në Teqen gjetën strehim shumë përkrahës të Fan Nolit të cilët e braktisë Shqipërinë pas ardhjes në pushtet të Ahmet Zogut.

Në vitet 1930, në Teqen kanë shërbyer 6 dervish dhe 20 punonjës të tjerë që udhëhiqeshin nga Baba Qazimi, të gjithë ishin me kombësi shqiptare.

Për shkak të ligjit të Luftës me Shqipërinë, Greqia sekuestrojë pronat e Teqes duke e lenë atë pronë në shkatërrim. Më 1960 Baba Seiti protestoj kundër sekuestrimit të rreth 13.000 dylym nga ana e shtetit grek. Më 1973 Baba Seiti vdes dhe Teqeja mbeti pa asnjë kujdestar. Që nga fillimi i funksionimit të saj në këtë Teqe shërbyen 33 Baba.

Në vitin 2004, çështja e Teqes shkoi për tu diskutuar nga deputeti i Lidhjes së Majtë, Fotis Kuvelis në Kuvendin e Greqisë, u bë zhurmë e madhe atë periudhë sepse kishte zëra që kjo Teqe duhet ruajtur, kujdesur dhe jo e lënë në mëshirë të fatit. Por ministri i kulturës i Demokracisë së Re, Petros Tatulis u përgjigj se kjo Teqe është pronë e shtetit shqiptar e sekuestruar nga shteti grek në bazë të Ligjit të Luftës dhe ligji ndalon çdo ndërhyrje riparimi të saj. (fotot nga Ηρ.Φασουρακη Gusht 2020).”

Re.Gu/fjala.al