20 Shkurt 2026

Nga Adrian Thano

Takimi në Uashington dhe fjala e mbajtur nga Kryeministri Edi Rama po përshëndeten si një moment i fortë diplomatik. Deri këtu, normale, politika ushqehet edhe me simbolikë.

Megjithatë, ekzagjerimet e kopsitura me porosi nuk janë të dobishme për gjykimin e ftohtë.

Një analist i zellshëm, emri i të cilit nis me B. në gjendje ekstaze na njoftoi se Rama në SHBA “hoqi brekët dhe tregoi bolet” (!) Citim literal.

Kur “analiza” zbret kaq poshtë në këto nivele pelvike, kuptojmë se argumenti ka mbetur i paralizuar diku lart në kokë.

Le ta veshim prapë politikën me kostum dhe ta fusim analizën në frigorifer që t’i ulet pak temperatura euforisë. Të shohim rezultatet, jo anatominë, qoftë kjo edhe figurative.

Pjesëmarrja në këtë Bord deri tani ngjan më shumë me një operacion plastik për imazhin e Kryeministrit, në një kohë kur qeveria noton në ujërat e turbullta të skandaleve dhe hetimeve të SPAK.

Ky “oksigjen” ndërkombëtar vjen si serum shpëtimtar dhe mundet vërtetë që të shërbejë si një lloj “azili politik” brenda zyrës, duke ndryshuar ndoshta fatin personal të dikujt që ka llogari të hapura me drejtësinë.

Por pyetja “tokësore” mbetet po aq kokëfortë: Qytetarët shqiptarë, çfarë fitojnë?

Nëse ky shkëlqim i ri në krah të administratës Trump është kaq i vërtetë, a nuk do të ishte shenja e parë e dinjitetit heqja e Shqipërisë nga ajo “lista e zezë” e vizave amerikane, që na u dorëzua si faturë turpi pak përpara ftesës në Uashington?

Ky do të ishte një rezultat i matshëm, një triumf real që do t’u vlente mijëra shqiptarëve, e jo thjesht një amnisti e heshtur për imazhin e rënë të pushtetit.

Nuk ka dyshim se ngritja e çështjes së UÇK-së dhe e kalvarit të Hagës mbetet një temë legjitime, madje jetike.

Por për fat të keq ekuacionet e drejtësisë ndërkombëtare dhe balancat e fuqive nuk zgjidhen me dritë blicash e mikrofonë të hapur. Ato janë operacione që kryhen në heshtje klinike, në korridore të mbyllura dhe në prapaskena ku fjala ka peshë, jo decibelë. Vetëm pasi puna është kryer aty, dalin fjalimet si dekoratë e suksesit.

Të bësh të kundërtën, të bërtasësh në podium pa pasur asgjë në xhep, është më shumë se naivitet. Në këto nivele, kur zhurma paraprin rezultatin, mundet që padashur të bësh jo dobi, por edhe më shumë dëm se ç’është bërë.

Kjo vlen sidomos për vende si ne pa mekanizma të tjerë presioni. Ka momente kur drita e fortë mbi çështje kaq delikatenuk ndihmon për t’i parë gjërat më mirë. E kuptoj që shërben për të verbuar atë lloj publiku që pret mrekulli nga skena, i kuptoj ethet për të prodhuar duartrokitje.

Por pikërisht këtu ndahet shtetari nga aktori.

Gjithsesi, le të biem dakord me gjenitalistët e diplomacisë që të flasësh me zë të lartë e t’ia përplasësh këtij e atij në fytyrë gjyqin e UÇK-së është e paparë, është e padëgjuar, etj, etj.

Atëherë, le ta shohim fjalimin e Kryeministrit Rama si një test. Një test praktik edhe për vetë Bordin e sapokrijuar dhe peshën reale të ndikimit të tij. T’i lëmë mënjanë kontestimet dhe kostot dhe ta pranojmë hipotezën më optimiste, që u bë gjëja e duhur me pranimin e kësaj ftese.

Shumë mirë. Tani, pas fjalimit, kemi rastin ideal për matje. Me efekte, me rezultat, jo me foto, as me video-bomba, as me qafën dhe xhepat e fryrë të estetëve të propagandës.

Nëse ky Bord dhe afrimi me administratën Trump kanë peshë reale për shqiptarët, atëherë çështja e gjyqit të katërshes së UÇK-së le të bëhet prova e parë e dukshme e ndikimit.

Aktualisht kemi një deklaratë të fortë, një skenë të madhe dhe një pritshmëri të nënkuptuar ndikimi. Shumë shpejt vjen vendimi i Hagës. A do lëviz gjë realisht? A do reagojë pushteti i atjeshëm vendimmarrës? Nëse po, kemi një instrument ndikimi në favor të interesave shqiptare. Ky është një lajm i shkëlqyer.

Por nëse në Hagë, nuk ndryshon asgjë, atëherë fjalimi historik do mbetet thjesht një tullumbace që plasi në Uashington për t’u dëgjuar në Tiranë. Të akuzuarit do mbeten po aty, të vetmuar në qeli përballë padrejtësisë, larg dritave të skenës që kaq fort e dashurojmë.

Në këtë rast, sajuesit e epopesë, që çdo lëvizje sot e kthejnë në heroizëm mitik, nesër duhet të japin llogari me bazë rezultatin real. Meqë sot ulërijnë për forcën dhe suksesin, nesër duhet të na shpjegojnë pse kjo “forcë” nuk vlen për asgjë.

Efekti matet nga pasoja, jo nga amplituda e zërit apo e mikrofonit. Aq më pak nga madhësia e “boleve” që analisti B pretendon se i njeh mirë.

Nga: Gazeta Dita