26 Tetor 2025

Një gaforre gjysmë-transparente sa një bajame dhe një peshkaqen i vogël me fener janë dy prej gjallesave të reja të zbuluara nga shkencëtarët australianë në thellësitë e oqeanit.

Në fund të vitit 2022, ekipi nga CSIRO nisi një ekspeditë kërkimore në Gascoyne Marine Park, rreth 20 kilometra larg bregut të Australisë Perëndimore.

Australia është një nga vendet më të rëndësishme të botës për biodiversitetin pasi në të jetojnë mbi një milionë kafshë, një pjesë e të cilave janë endemike.

Por ashtu si një hapësirë e konsiderueshme e planetit, thellësitë ujore nuk janë eksploruar dhe flora e fauna janë ende të panjohura për shkencën.

Një nga qindra speciet e grumbulluara gjatë ekspeditës së vitit 2022 ishte Peshkaqeni Fener i Australisë Perëndimore. Ai arrin deri në 40 centimetra gjatësi, ka sy të mëdhenj dhe bark të ndritshëm dhe u gjet 600 metra nën sipërfaqe.

“Peshkaqenët fenerë janë biolumineshentë, drita prodhohet nga fotoforet që gjenden në barkun dhe velëzat e tyre”, tha shkencëtari Will White.

Njëkohësisht u gjet një lloj i ri gaforreje porcelani, rreth 1.5 centimetër e gjatë dhe rreth 122 metra nën nivelin e detit. Kjo gaforre e kap ushqimin si planktoni, me qimet që ndodhen në gojën dhe jo me kthetra.

Deri më tani janë zbuluar rreth 20 gjallesa të reje nga ky ekskursion, përfshirë një oktapod në ngjyrë të kuqërremtë, rreth 4 centimetra.

Shkencëtarët thonë se ka rreth 600 lloje që duhen përshkruar dhe emërtuar pasi mund t’u duhen vite për të grumbulluar informacionin që nevojitet për të provuar se janë unike.