Flet fermeri që u përplas me kryeministrin në Divjakë: – Pa ndihmën e shtetit nuk mbijetojmë dot

4 Shkurt 2026
Lili Biti, disa ditë më parë u bë fermeri më i njohur në Shqipëri pas një debati që zhvilloi me kryeministrin Edi Rama.
61 vjeçari thotë se prej 35 vitesh merret me punët e bujqësisë në Divjakë dhe në një sipërfaqe toke prej 10 ha, në të dyja sezonet ai kultivon perime fushe. Për të, bujqësia është pasioni dhe ekonomia e familjes më të cilët rriti dy fëmijët.
“Pa ndihmën e shtetit ne nuk mbijetojmë dot. Kam 8-10 Ha tokë që mbjell perime të ndryshme çfarë ju shikon syri në treg, panxhar lule, karrot”, shprehet Lili Biti, fermer.
Lili thekson se nuk kërkoi bllokim të importit, por mbrojtjen e prodhimit bujqësor të tokës shqiptare.
“Kryeministri e dëgjoi shumë mirë që unë nuk kërkova bllokimin e doganave, se ai ashtu më ktheu përgjigje. Unë kërkova që kur hyn mall nga importi shteti të jetë rregullator, nëse ka fermeri mall këtu ai duhet të ngrejë referencën në doganë, siç ndodh në rajon. Por këtu ndodh e kundërta. Janë 4-5 tregtarë të mëdhenj dhe na konkurrojnë”, shton 61-vjeçari.
Bujku thotë se nuk e shqetësoi kundërshtimi që iu bë idesë së tij, por toni i lartë i kryeministrit që përdori ndaj një fermeri 61 vjeçar.
Çfarë të vrau më tepër tek reagimi i kryeministrit?
“Mua më vrau arroganca. Ulu, ulu, unë ende pa folur pastaj unë fola siç e ndjeva”, shton ai.
Por zhgënjimi nuk qe vetëm nga politika, Lili në ato momente u ndje I braktisur edhe kolegët e tij bujq.
“Dola nga takimi bëre mirë që fole. Po ju ku qetë? U ndjeva si….u ofendova se nuk u ngrit asnjeri.”, thekson fermeri.
Ndërkohë, fermeri është duke u përballur me një treg të pasigurt, pasi është duke shitur me një çmim që nuk mbulon as kostot e prodhimit.
Më tej Biti shton “Kjo është lakër e kuqe, sa po e shet për momentin dhe ku shkon? Unë po e shes 15 lekë dhe shkon në Bosnje, Mal të Zi Çeki, duhet të shitej 50 lekë që të kishte interes për fermerin. Unë këtu humb 3000 euro”.
Të mbjellat e fermerëve, konkurrohen nga importin në sasi dhe në çmim, kjo pasi një bujk në rajon mbështet disa herë për të njëjtën sipërfaqe toke.
Top Channel
