20 Korrik 2026

Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë një sipërfaqe pyjore në Iballe të Fushë-Arrëzit, mbi lagjen Gere, duke vështirësuar ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse.

Për shkak të terrenit të thyer malor, zjarrfikësit e Fushë-Arrëzit nuk kanë mundur të depërtojnë në vatrën e zjarrit dhe janë stacionuar në qendër të Njësisë Administrative. Ndërkohë, banorët e zonës dhe punonjësit e shërbimit pyjor kanë punuar gjatë gjithë natës me mjete rrethanore në përpjekje për të frenuar përhapjen e flakëve.

Meqenëse zjarri është përhapur në një sipërfaqe të konsiderueshme të ekonomisë pyjore Iballe–Mëzi, është kërkuar ndërhyrja me helikopter nga Forcat e Armatosura. Ekipet po punojnë për ruajtjen e perimetrit të zjarrit dhe vënien nën kontroll të flakëve.

Sipas të dhënave paraprake, zjarri ka nisur në një zonë me shkurre, ndërsa dyshimet e para janë se mund të jetë shkaktuar nga zjarrvënie e qëllimshme.

Autoritetet pritet të kryejnë hetime për të përcaktuar shkaqet e plota të rënies së zjarrit, ndërsa operacioni për shuarjen e flakëve vijon.