Arta Dollani

4 Shkurt 2026

Me firmën e saj u shembën godina me vlera historike e kulturore për t’u zëvendësuar me kulla betoni; u shemb Teatri Kombëtar, u përçudnuan hapësirat e Butrintit në biznese, u hoqën vepra të çmuara nga lista e trashëgimisë kulturore e të tjera bëma.

Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Arsimit Parauniversitar, Arta Dollani, është arrestuar, një tjetër skandal për këtë qeveri, e cila ka kaluar në statusin ‘e arrestuar’. Akuzat dhe arrestimi i kreut të arsimit parauniversiatr është ngjarje e zezë për mësuesit, nxënësit dhe shoqërinë, dhe dëshmi e rrënimit të plotë të sistemit tonë arsimor.

Fenomeni ‘Arta Dollani’ na flet për partinë-shtet, që prej 13 vitesh ka degraduar institucionet në çdo nivel- fenomen që mishëron ngritjen në karrierë nga hiçi në majë dhe fundin e paracaktuar sërish në hiç.

Nga punonjëse e thjeshtë e bashkisë, Dollani u katapultua në pozicionet më të rëndësishme të Ministrisë së Kulturës si Drejtoreshë e Institutit të Monumenteve të Kulturës. Me firmën e saj u shembën godina me vlera historike e kulturore për t’u zëvendësuar me kulla betoni; u shemb Teatri Kombëtar, u përçudnuan hapësirat e Butrintit në biznese, u hoqën vepra të çmuara nga lista e trashëgimisë kulturore e të tjera bëma.

Për dëme të rënda ndaj kulturës dhe duke qenë nën hetim për shpërdorim detyre, Dollani nuk u ndëshkua, por u shpërblye nga Ministria e Arsimit, Mirela Kumbaro me këtë pozicion shumë të rëndësishëm në krye të arsimit, për të firmosur aktet e fundit të groposjes së sistemit edukativ.

Papërgjegjshmëria e Dollanit në krye të Agjencisë Kombëtare të Arsimit Parauniversitar u shfaq qartazi edhe në mënyrën se si ajo e trajtoi institucionin që drejtonte. Që prej emërimit në detyrë, sipas të dhënave dhe dëshmive të punonjësve, ajo paraqitej në punë vetëm për një kohë simbolike, rreth një orë në ditë, ose në shumë raste mungonte plotësisht. Ndërkohë, për stafin vartës zbatohej një regjim presioni dhe kontrolli absurd, me apel dhe listëprezencë deri në tre herë në ditë.