Esat Musliu: Pasuria e Kinostudios u shkatërrua, Ministria e Kulturës bëri vetë çfarë deshi në ato mjedise dhe nuk pyeti krijuesit

11 DHJETOR 2020

Kinostudio ishte një nga veprat më madhështore, që ka përballuar me shumë sukses 14 filma artistikë në vit dhjetëra dokumentarë, si edhe filma të animuar. Kështu shprehet kineasti i njohur Esat Musliu për çfarë u bë ndër dekada, që Kinostudio “Shqipëria e Re”ekzistonte. Esat Musliu “Mjeshtër i Madh” është regjisor, skenarist, ku emrin e tij e mbajnë disa prej filmave më të njohur artistikë, por dhe rreth 200 dokumentarë që janë realizuar ndër vite. Në intervistën për gazetën “SOT” regjisori tregon për pasurinë filmike të Kinostudios dhe punën që bëhej për filmat. Kineasti Musliu shpreh keqardhjen, që e gjithë ajo pasuri në Kinostudio sot nuk është më si dikur. Regjisori thotë se Kinostudio duhej të ishte kthyer një muze për kinematografinë shqiptare, por jo të vendosej në ato mjedise Ministria e Kulturës. Në lidhje me projektin “Parku i Artit” që u bë me dije edhe së fundmi nga Ministria e Kulturës, regjisori thotë se ishte po kjo ministri që hoqi dikur dhe pllakën e themelimit të Kinostudios, duke treguar se sa vëmendje kanë për kinematografinë shqiptare ndër vite. Esat Musliu “Mjeshtër i Madh” është regjisori i cili ka sjellë filma të suksesshëm në kinematografinë shqiptare. Filmat si: Nata, (1998), Vitet e pritjes, (1990), Rrethi i kujtesës, (1987), Rruga e lirisë, (1982), Ata ishin katër, (1977), Zemrat që nuk plaken, (1977), janë vlerësuar nga publiku dhe kritika. Në karrierën e tij ka realizuar dhe regjinë e shumë filma dokumentarë me të cilët ka marrë pjesë në shumë festivale kombëtarë dhe ndërkombëtarë, që gjithashtu janë vlerësuar me çmime të ndryshme.

-Zona e ish Kinostudios pritet që të kthehet në një “Park Arti”, një projekt që është bërë me dije edhe më parë nga Ministria e Kulturës, ku do të ketë dhe muze filmi. Ministrja Elva Margariti u shpreh së fundmi se shndërrimi i zonës së ish-Kinostudios, në një “Park Arti” është një projekt madhor. Si regjisor i filmave të njohur prodhuar dikur në Kinostudio, çfarë mund të na thoni mbi ato probleme që nisën pas viteve ‘90?

Unë dikur kam qenë në komisionin ose në bordin e kthimit të ish Kinostudios “Shqipëria e Re” në muze, komision ku ishte dhe regjisori Vladimir Prifti si dhe kolegë të tjerë. Ishim në komisionin e kthimit në muze, duke filluar që nga anekset e Kinostudios “Shqipëria e re” e deri te Korpusi qendror, ku drejtori i “Albafilm” do ta drejtonte këtë punim dhe kërkonte buxhet nga shteti. Njëkohësisht të gjithë magazinat, që kishim ne me kostume, me armatime, me rekuizitë, laboratore, etj, do të rikonstruktoheshin dhe të ngriheshin në gjërat muzeale. Më pas kur drejtori i “Albafilm” po kërkonte buxhet për ta kthyer në muze, befas doli një Ministri Kulture që nuk e di se kush e kërkoi që ajo të shkonte në godinën e Kinostudios. Më parë u kërkua që të shkonte atje Instituti i Monumenteve dhe iu dha një pjesë e Kinostudios “Shqipëria e Re”. Më parë janë futur dhe të tjerë subjekte private që morën gati të gjithë korpusin qendror të Kinostudios, madje i vunë dhe kyçin derës dhe portës kryesore, që me luftë të madhe ai që ishte drejtor i “Albafilm” e hoq, sepse nuk hyje dot as në ambientet e saj. Shumë nga producentët kishin hapur aty zyra, shtëpitë filmike që do bënim filma kishin të drejtën e një zyre, ku do të punonin të angazhonin prodhimin e filmit, që do të bënin. Por këto ranë të gjitha dhe përfundoi e gjithë kjo punë në një Ministri Kulture në Kinostudio, që e mori dhe e restauroi siç i desh qejfi. I bëri gjërat siç deshi vetë, dhe Instituti i Monumenteve të Kulturës mbeti aty ku është dhe Ministria e Kulturës aty ka bërë zyrat e veta. Nuk pyeti njeri regjisorët nëse duhej të futej aty brenda Ministria e Kulturës apo jo, sepse nuk ekzistonin për ata krijuesit. Vite më parë u ngrit dhe Qendra Kombëtare Kinematografike, që nuk ka qenë aty. Ajo që ndodhi punët vajtën që as nuk u pyet njeri nga kineastët, as nuk u pyet njeri nga titullarët e filmave, por ata bënë punën e tyre, bënë Ministri Kulture siç e kanë tani.

-Historia e Kinostudios “Shqipëria e Re” sjell në vëmendje një numër jo të vogël filmash, por dhe një rekuizitë të pasur, që është cilësuar shumë e rëndësishme ndër vite për kinematografinë shqiptare. Me shkatërrimin që iu ndodhi institucioneve ndër vite, sipas kineastëve kjo përfshiu dhe ish Kinostudion dhe pasuria e saj humbi. Si regjisor, sipas jush çfarë solli kjo?

Pasuria e Kinostudios “Shqipëria e Re” ndër vite u zhduk. Jo vetëm kaq, por aty është një atelier që me sa di iu dha dhe RTSH, që nuk mendon fare për atë. Një tjetër atelier iu dha subjekteve private. Magazinat, të cilat ishin plot me kostume, me armatime, me rekuizitë filluan të firojnë. Po kush i ka marrë? Nuk të jap dot përgjigje. Edhe makinat e vjetra u plaçkitën. Duhej të ishin ruajtur se ishte pasuri shtetërore dhe e ngritur prej 50 vitesh, por që tani pothuajse nuk ekziston. Mund të jenë atje disa kostume, sepse kështu kam dëgjuar. Mund të ketë mbetur ndonjë rekuizitë pa vlerë fare, por duke filluar që nga makinat e vjetra që i përdornim ne me filmat, që i quanim makinat e rekuizitës dhe që ishin pasuri e jashtëzakonshme nuk janë më si dikur. Godina e Kinostudios duhej të ishte kthyer në muze, sepse u bë dhe harta e ndërtimit të tij me të gjithë gjerat që duheshin. Por godina nuk u bë muze, se çfarë u bë e kemi aty para syve. Unë kam qenë kundër vendosjes së ministrisë në ato mjedise. Kam qenë dhe kryetar i Shoqatës së Kineastëve dikur , që ka qenë kundër nxjerrjes së punonjësve të Kinostudios në rrugë. Punonjësit mbetën pa punë, pa ndihmë sociale e asgjë tjetër. U desh të hynte në punë ligji për kinematografinë, që ne të mbijetonim nëse do të merrnim ndonjë projekt, apo dhe si një pjesë e madhe e punonjësve të Kinostudios që kanë emigruar jashtë shtetit.

-Ndryshimi i sistemit politik në vitet ’90 sjell transformimin e Kinostudios në “Albafilm” në vitin 1996. Ju si e keni parë ndër vite “Albafilm”?

“Albafilm” ka një detyrë të rëndësishme dhe shumë të veçantë, sepse duhej të përballonte filmat shqiptarë që do të realizoheshin dhe do ti përballonte me rekuizitë, me kostume, me atelier, etj, por ka pasur dhe laborator. Por sot “Albafilm” me sa di ka një organikë të vogël 4-5 veta.

-Kinostudio “Shqipëria e Re” u themelua më 10 korrik të vitit 1952. Për ju çfarë përfaqësonte?

Kinostudio ishte një nga veprat më madhështore, që ka përballuar me shumë sukses 14 filma artistikë në vit, mbi 60 dokumentarë dhe diku tek 30 a 40 filma të animuar. Është e gjithë kjo prodhimtari filmash, por ne nuk e kemi në administrim, pasi e ka Qendra Kombëtare e Kinematografisë ( QKK). Por autori gëzon të drejtën në çfarëdo lloj rrethane. Por godina e Kinostudios ka humbur me kohë.

-Jeni regjisor i disa prej filmave të Kinostudios. Çfarë kujtoni nga puna juaj vite më parë?

Kur mua m’u dha xhirimi për filmin “Rrethi i Kujtesës” kam ndërtuar dekore aty brenda. Me filmat unë e kisha gjithë Kinostudion ato vite në dispozicion. Kam punuar në atelierët e Kinostudios dekore si për filmin “Hije që mbeten pas”, për filmin “Vitet e pritjes”, etj. Për filmin “Rrethi i Kujtesës” aty kisha ndërtuar dhe spitalin psikiatrik në atelierët e Kinostudios, por atëherë funksiononin normalisht të gjithë atelierët e Kinostudios. Dy atelierë dhe një i kuadrove i kombinuar tre ne punonim normalisht, punonin, xhironim. Këto filmat që bëhen tani pas viteve ‘90 i bëjnë me dekore reale, në kafene reale, në apartamente reale, sigurisht që tjetër gjë është të ndërtosh një dekor dhe tjetër gjë është të xhirosh në një apartament, ku paguan dhe qeranë, etj. Ama sot Ministria e Kulturës ambientet që pretendon për tu bërë muze filmi i ka shitur të gjitha. Skulptura mund të vërë sa të dojë. Madje të paktën të vërë skulptura të kineastëve në ato hapësira, që po ikin një e nga një sa ta mbushë me vepra të tjera. Mua nuk më intereson me se çfarë do të bëjë Ministria e Kulturës aty, ajo pasuri u shkatërrua. Ministria e Kulturës në Kinostudio hoqi edhe pllakën që ishte te dera, që shënonte datën e inaugurimit të saj, e zhdukën dikur. Kjo tregon se sa të vëmendshëm dhe se sa po përgjërohen për filmat dhe për Kinostudion.

Kinostudio “Shqipëria e Re” dhe filmat

Kinostudio “Shqipëria e Re” u themelua më 10 korrik të vitit 1952. Realizimi i parë i saj është bashkëprodhimi shqiptaro-rus filmi “Skënderbeu”. Ky është i pari realizim “kolosal” i prodhuar nga kjo studio kinematografike. Filmi, ku luajnë edhe aktorë shqiptarë, ka fituar çmimin ndërkombëtar në Festivalin e Filmit në Kanë në vitin 1954. Në vitin 1957 prodhohet filmi i parë i një regjisori shqiptar, Hysen Hakani. Prodhimet në masë fillojnë rreth viteve ’70, periudhë që korrespondon uljes së numrit të filmave të importuar. Në vitet ’80 Kinostudio “Shqipëria e Re” prodhon rreth 14-15 filma në vit, tematikat janë nga më të ndryshmet. Ndryshimi i sistemit politik dhe kriza ekonomike e viteve ’90 sjell transformimin e saj në “Albafilm” dhe në vitin 1996 edhe kjo e fundit mbyll ekzistencën e saj. Kinostudio “Shqipëria e Re” lë në trashëgim rreth 200 filma. Me gjithë kornizat ideologjike dhe vetëcensurën, trashëgimia e Kinostudios “Shqipëria e Re” kanë qenë dhe është pjesë e jetës kulturore e shumë brezave shqiptarësh.

Gazeta Sot