Emigracioni shqiptar në Itali. – Raporti vjetor i Ministrisë së Punës dhe Politikave Sociale Italiane. –

Ministria Italiane e Punës dhe Politikave Sociale botoi raportin vjetor për emigracionin në përgjithësi dhe për emigracionin me origjinë shqiptare në veçanti. Rezultatet përshkruajnë një komunitet të integruar, që jep kontributin e vet duke ruajtur identitetin dhe lidhjet me vëndin e origjinës.

Nga: Fabiola Ismaili 

Në 21 mars Ministria Italiane e Punës dhe Politikave Sociale botoi raportin vjetor për emigracionin në përgjithësi dhe për emigracionin me origjinë shqiptare në veçanti. Rezultatet përshkruajnë një komunitet të integruar, që jep kontributin e vet duke ruajtur identitetin dhe lidhjet me vëndin e origjinës. Në 1 janar 2018 shtetasit me origjinë shqiptare në Itali rezultonin të ishin 430.340 vetë dhe perfaqësonin 11,6% të shtetasve të huaj, duke u renditur në vendin e dytë për numër prezencash.

Niveli i punësimit të shtetasve me origjinë shqiptare është 53,8% dhe pjesa më e madhe e tyre banon në veri të Italisë. Një tregues i rëndësishëm është ai i emigrantëve me origjinë shqiptare titullarë të shoqërive private.
Raporti flet për një komunitet të integruar që ka hedhur baza të forta në shoqëri, një komunitet i ri në moshë, meqënëse 44,5% e pjesëtarëve janë nën 30 vjec dhe një numër i madh i familjeve kanë fëmijë.
Analiza e kohëzgjatjes së lejeve të qëndrimit është treguesi kryesor i stabilizimit të komunitetit shqiptar në Itali dhe 71,3% e këtyre lejeve nuk ka më nevojë per rinovim. Tendenca kryesore është stabilizimi në territorin italian nëpërmjet fitimit të nënshtetësisë.

Në 2017 ky numër arriti të jetë një nga më të lartët në krahasim me komunitetet e tjera me rreth 27.112 njësi.
Një e dhënë negative që bën pjesë në këtë analizë është ajo e të miturve të pashoqëruar, të cilët vendosen në strukturat e krijuara për këtë qëllim. Ky numër në gusht të 2018 ishte më i larti nga të gjitha komunitetet, me 1.497 të mitur, të cilët janë lënë prej prinderve në bashkitë italiane për të përfituar nga arsimimi dhe dokumentat për leje qëndrimi në mënyrë te paligjshme. Në vitet e fundit disa prokurori kanë filluar hetimet si ndaj të miturve ashtu dhe ndaj prindërve te tyre për mashtrim.

Përsa i përket arsimit universitar komuniteti ynë në Itali qëndron në vënd të parë për numrin e të rregjistruarve me rreth 9.609 studentë. Dhe pse në ulje gjatë vitit të fundit për shkak të fitimit të nënshtetësisë italiane, ky numer flet për një nivel të lartë te formimit të të rinjve me origjinë shqiptare.
Pjesa më e madhe e të punësuarve rregjistrohet në fushat e ndërtimit dhe atë të shërbimeve, kurse 5% e të gjithë te punësuarve janë profesionistë ose drejtues. Ky i fundit është një nga më të lartët në Itali në rradhët e të huajve dhe pa dyshim motiv krenarie për të gjithë ne.

Emigrantët me origjinë shqiptare kanë kontribuar në vitin e fundit me rreth 128 milion € dërgesa parash ndaj familjeve ne Shqipëri. Gjithashtu, dhe pa u shtyrë më tutje me numra e statistika, komuniteti ynë ne Itali renditet në vëndin e parë për përdorimin e llogarive bankare.

Analiza është një pasqyrë e plotë e gjëndjes së emigracionit me origjinë shqiptare dhe përshkruan një komunitet të stabilizuar, punëtor e të integruar në Itali, dhe pa diskutim eshte motiv krenarie për kontributin që po japim si në vendin e origjines dhe ne atë të banimit.

Gazeta Shqiptarja.com