2 Nentor 2025

Kryeministra, presidentë dhe anëtarë të familjeve mbretërore u mblodhën të shtunën në Kajro për të marrë pjesë në inaugurimin spektakolar të Muzeut të Madh Egjiptian (GEM), një kompleks i madh pranë Piramidave, që do të strehojë një nga koleksionet më të pasura të antikiteteve në botë.

Hapja e muzeut shënon përfundimin e ndërtimit që zgjati dy dekada dhe u pengua nga Lëvizja e Pranverës Arabe, pandemia dhe luftërat në vendet fqinje.

“Të gjithë kemi ëndërruar këtë projekt dhe pyetja ishte nëse do të bëhej realitet,” tha kryeministri Mostafa Madbouly në një konferencë për shtyp, duke e cilësuar muzeun si një “dhuratë e Egjiptit për të gjithë botën, nga një vend me histori më shumë se 7,000 vjet.”

Të pranishëm ishin edhe presidenti egjiptian Abdel Fattah al-Sisi. Jashtë muzeut u vendos një ekran gjigant, që shfaqte imazhe të vendeve më të njohura kulturore të vendit, ndërsa kërcimtarë të veshur me kostume në stil faraonik kërcenin me shkopinj që ndriçonin.

“Me hapjen e muzeut, Egjipti po shkruan një kapitull të ri në historinë e së tashmes dhe të së ardhmes së këtij kombi të lashtë,” tha Sisi gjatë ceremonisë.

Mes të pranishmëve ishin presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier, kryeministri holandez Dick Schoof, kryeministri hungarez Viktor Orban, presidenti palestinez Mahmoud Abbas, presidenti i Kongos Felix Tshisekedi, si dhe princër kurorësh nga Omani dhe Bahreini.

Atraksioni më i promovuar i muzeut është koleksioni i madh i thesarëve nga varri i Tutankhamunit, zbuluar në 1922, duke përfshirë maskën e artë funerale të djalit mbret, fronin, sarkofagun dhe mijëra objekte të tjera.

Dizajni modern i kompleksit, që të kujton Piramidat, bie në kontrast të fortë me ekspozitat e pluhurosura dhe shpesh të vjetruara të Muzeut Egjiptian neoklasik, i hapur më shumë se një shekull më parë në qendër të Kajros, pranë Sheshit Tahrir.

Muzeu i vjetër ka pësuar degradime vitet e fundit, duke përfshirë disa vjedhje gjatë kryengritjes së vitit 2011.

Muzeu kushton më shumë se 1 miliard dollarë dhe  pjesërisht i financuar nga kredite zhvillimore japoneze. Projektuar nga firma irlandeze Heneghan Peng Architects, ka një sipërfaqe gati sa Vatikani.

Zyrtarët shpresojnë gjithashtu që muzeu, pjesë e një serie projektesh gjigante që kanë nisur që nga 2014, të shpejtojë rikthimin e turizmit në Egjiptin e dëmtuar gjatë viteve nga konflikte rajonale dhe pasiguri ekonomike, shkruan Reuters.