Edi Rama si gjithmone genjen: – Karçanajt e AKSHI-t jeton me qera. Karçanajt zotëron katër apartamente dhe..

19 Mars 2026
Kryeministri Edi Rama tha se Mirlinda Karçanaj jeton në një shtëpi me qira. Verifikimet e Faktoje tregojnë të kundërtën. Ish-drejtoresha e AKSH-it zotëron katër apartamente dhe një ullishte 1,500 m², përkatësisht dy në bashkëpronësi dhe dy në pronësi të plotë.
Dhjetorin e shkuar, Prokuroria e Posaçme goditi një grup të dyshuar kriminal në krye të AKSHI-t, mes të cilëve edhe drejtoreshën Mirlinda Karçanaj, aktualisht në arrest shtëpie, e dyshuar për shkelje të barazisë në tendera në bashkëpunim si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal.
Kjo konsiderohet një nga dosjet më të rënda të SPAK, pasi AKSHI është një ndër institucionet më sensitive në vend, që menaxhon pothuajse të gjithë sistemin e qeverisjes digjitale përmes e-Albania dhe shërben si ndërmjetës mes qytetarëve dhe institucioneve për qindra shërbime. Megjithatë, kryeministri Edi Rama i doli në mbrojtje ish-bashkëpunëtores së tij të ngushtë, duke deklaruar se Mirlinda Karçanaj gëzon “respekt të padiskutueshëm”. Ai madje i qau hallin Karçanajt, e akuzuar për shpërdorimin e miliona eurove, duke theksuar se ajo jeton në një shtëpi me qira.
“Linda Karcanaj, e cila sot është në masë sigurie në një shtëpi me qira, ku jeton pasi ka jetuar deri pak vite më parë në shtëpinë e prindërve, në një apartament që ishte i kohës së komunizmit…,” deklaroi Rama fundvitin e kaluar.
Kjo deklaratë shkaktoi reagime të forta në media dhe rrjetet sociale, duke hapur një debat të gjerë publik. Nuk munguan as reagimet ironike, ku disa faqe të njohura në rrjete sociale sugjeronin me sarkazëm hapjen e një “GoFundMe” për Mirlinda Karçanajn.
Por përtej zhurmës, faktet kërkojnë verifikim. Ndaj Faktoje iu drejtua Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, ILDKPI-së, për të parë çfarë deklaron vetë Karçanaj për pasurinë e saj të paluajtshme.

Sa prona zotëron Karçanaj?
Analiza e deklaratave të saj pasurore mbi 21 vite tregon një panoramë shumë më të pasur se ajo që e paraqet kryeministri. Në 2007, kur ishte drejtoreshë e Teknologjisë së Informacionit në Bashkinë e Tiranës, Karçanaj deklaronte 25% të një apartamenti 3+1, 94 m² në Tiranë.
Në 2013 (kohë kur merr edhe detyrën e re si drejtoreshë e AKSHI-t) , e njëjta pronë shihet e saj me 50% bashkëpronësi. Në 2016, ky apartament rivlerësohet në mbi 13 milionë lekë apo 135 mijë euro.
Në të njëjtin vit, Karçanaj deklaron edhe blerjen e një apartamenti tjetër 136 m² në Tiranë për 65 mijë euro, ku 50% i përket bashkëshortit, Artan Babaramo.
Po në 2016, çifti blen edhe një apartament 60 m² në Qerret për 17,340 euro. Të dyja blerjet, sipas deklaratave, janë financuar nga kursimet ndër vite dhe pagat.
Një vit më vonë, apartamenti i Tiranës i blerë 65 mijë euro rivlerësohet në rreth 24,5 milionë lekë apo 240 mijë euro.
Në 2022, Karçanaj bëhet pronare e vetme e apartamentit 3+1 në Tiranë me vlerë 135 mijë euro, trashëgimi nga prindërit, dhe shton pasuri të tjera: një apartament 73.5 m² dhe një ullishte 1,500 m², po përmes trashëgimisë, pa specifikuar vendndodhjen dhe vlerën.
Pra, ndryshe nga sa deklaroi kryeministri, Karçanaj nuk jeton me qira. Ajo zotëron katër apartamente, 2 në bashkëpronësi me bashkëshortin dhe 2 të tjera në pronësi të plotë si dhe një ullishte 1500 m², pa përfshirë këtu kursimet e deklaruara në euro dhe lek ndër vite.
Verifikimi i deklaratave të pasurisë së Mirlinda Karçanajt tregon qartë se ajo nuk jeton me qira, siç pretendoi kryeministri. Ajo zotëron katër apartamente dhe një ullishte 1,500 m², përkatësisht dy në bashkëpronësi me bashkëshortin dhe dy në pronësi të plotë.
Ngaa: Gazeta Sot
