8 Shtator 2022

Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço, ka folur mbrëmjen e sotme në një emision televiziv në lidhje me sulmin kibernetik, ku ka thënë se Irani ka forca sekrete të Gardës Revolucionare që kanë qenë të pranishme në Shqipëri në shoqata bamirësie.

Karamuço tha se Shqipëria mund të ndodhet para një sulmi shumë hakmarrës, ndërsa theksoi se e rëndësishme është që të rikthehet në krye të detyrës kreu i SHISH.

Ai i bëri thirrje gjithashtu presidentit, që të mbledhë sa më parë Këshillin e Sigurisë Kombëtare.

“Ishte shumë e shpejtë që të deportoheshin menjëherë stafi që kishte mbetur. Për shkak se ishte shumë shpejt ata nuk mund të nxirrnin materialet kompromentuese dhe lëndë eksplozive që mund të kishin brenda, dyshohet.

Policia bëri mirë që vajti me njësinë special për të parë çfarë lëndësh kanë lënë. Dyshohet për lëndë të një sulmi të mundshëm, deri këtu kishte arritur rreziku, ku në një njësi diplomatike të fshihen armë.

Unë jam habitur kur kam parë njësi aq të shtuara dhe kam kuptuar që ka pasur diçka më të rëndë se thjesht dëbimi.

Ata janë, siç është përmendur këto ditë, Garda Revolucionare ka forca sekrete që i ka pasur në Shqipëri edhe me shoqatat e bamirësisë dhe donin të krijonin epërsi në aspektin fetar në Shqipëri. Kjo ka qenë një nga arsyet që kanë pasur në objektiv komunitetin mysliman.

Dy prej personave (shqiptarë) që mund të kenë qenë nga ata që Garda Revolucionare ka pasur në Shqipëri janë duke u hetuar. Kanë sulmuar Manzën, kanë dalë pro Iranit në rastet e fundit.

Duhet t’i shikojmë si diçka shqetësuese. Shqipëria mund të ndodhet para një realiteti shumë hakmarrës dhe sulme sabotazhi që mund të tregojnë këto lloj celulash. E rëndësishme, e para duhet të rikthehet në krye të detyrës kreu i SHISH që është larguar në SHBA për një intership.

Po ashtu bëj një apel dhe për presidentin, është pak e vonuar mbledhja e këshillit të sigurisë kombëtare që të ecim në të njëjtën trajektore që kanë ecur vendet e tjera të NATO-s për ne. Duhet të jemi në gjendje gatishmërie dhe vigjilence.

Irani nuk ka pasur asnjëherë marrëdhënie të mira me Shqipërinë dhe kur ka dashur të ndihmojë e ka bërë për interes. Ka parë një interes të shtuar në Ballkan për një lloj ekspansioni. Një bosht doli në dritë që quhet BRIKS, një luftë e ftohtë që në lindje fillon nga Rusia, Irani, India etj.

Edhe hakerat që kanë sulmuar punojnë në bashkëpunim me hakera rus dhe indianë. Ne ishim në një sulm terrorist dhe të financohet një sulm terrorist nga një shtet, qoftë edhe virtual, është e rëndë”, tha Karamuço.

Gazeta Sot