17 Dhjetor 2025
Dosja e Porto Romanos që fundos Ballukun dhe Vengun, një port 5 herë më i vogël se i Durrësit, mbi pllaka tektonike aktive dhe llum që favorizon interesat private mbi ato kombëtare dhe rrezikon marrëdhëniet me NATO dhe BE

Gazeta “SOT” ka raportuar në artikujt e kaluar se është referuar në SPAK si aferë korruptive dosja tenderuese për ndërtimin e Portit të Integruar të Durrësit në Porto Romano, një investim me vlerë rreth 400 milionë euro, fituar nga kompania greke ARCHIRODON, sipas kallëzimit, në mënyrë të paligjshme, të errët dhe korruptive. Në tender morën pjesë disa nga kompanitë ndërtuese dhe inxhinierike më të mëdha dhe më të suksesshme të botës, por ato u skualifikuan nga konkurrimi, pa i dhënë mundësinë asnjërës për të paraqitur ofertë.

“E vetmja kompani që u la në garë dhe u ftua të bëjë ofertë dhe t’i jepet kontrata është kompania qipriote (greke – de facto). Mënyra e përdorur për të arritur është: skualifikim për pasaktësi të vogla në dokumente dytësore apo interpretime të dyshimta dhe ekstreme të rregullave me qëllim eliminimin e konkurrentëve të padëshiruar dhe trajtim me “zemërgjerësi” dhe tolerance të kompanisë së paracaktuar“, thuhet në kallëzimin penal.

Probleme teknike që hedhin dyshime për sabotazh të qëllimshëm

“Përzgjedhja e vendit për portin e ri ne Porto Romano nuk ishte një vendndodhjeje e planifikuar mirë, por një nevojë urgjente e grupeve të caktuara me shumë për të hequr qafe aktivitetet tregtare në Portin e Durrësit, në mënyrë që të krijonte vend për Marinën e Jahteve të Durrësit ku financat e bizneseve politike kanë interesat e tyre. Vendndodhja nuk është e përshtatshme për një port, pasi aty kalojnë dy pllakat tektonike aktive, që shkaktuan tërmetin e vitit 2019. Zona e planifikuar e portit është e gjitha me llum dhe duhen 90m për të arritur shkëmbinjtë themelorë.

Porti i ri në Porto Romano do të jete sa 20% e Portit ekzistues të Durrësit

Një super skandal është dhe fakti se tenderi për ndërtimin e Porto Romanos është vetëm për një port shume herë më të vogël se Porti i Durrësit. Porto Romano po tenderohet për gjysmën e  terminalit të kontejnerëve të projektuar, pra VETEM për një kalatë/bankine prej 400metrash dhe me 38 hektarë zonë përpunimi, dhe pa dallgëthyes të fuqishëm. Pra për përpunimin e një anijeje. Ndërkohë që Porti i Durrësit ka një gjatësi totale e kalatave/bankinave rreth 2’275metra dhe 88 hektarë zone përpunimi. Kërkesa për një port kaq te vogël i është bërë Royal Haskoning nga Belinda Balluku e PirroVengu.

Në fakt kostoja reale e fazës 1 te Porto Romanos sipas projektit duhet të jetë mbi 2 miliardë euro, pasi duhen kompletuar terminali i kontenierëve, terminali i trageteve, dydallgëthyesit, baza detare e NATO-s, superstruktura e portit dhe bazat logjistike.

Ky zhvillim kaq minimal prej 38Ha po bëhet me urgjencë për shumë interesa të dyshimta të bizneseve  dhe pushteteve dhe arseve gjeostrategjike ku përfitues janë portet e vendeve fqinje.  Pra, Porto Romano qëllimisht nuk po ndërtohet siç duhet dhe është planifikuar qëllimisht të ndërtohet gabim, në mënyrë që të mos ndërtohet kurrë. Në këtë pike qeveria është dakortësuar për motive krejtësisht të ndryshme dhe aspak në interes publik, por sigurisht kundër interesave strategjike të shtetit shqiptar.

Probleme gjeopolitike të lidhura me Porto Romanon

Mos bërja siç duhet e Porto Romanos është një sabotim i sigurisë kombëtare dhe marrëdhënieve  me NATO-n dhe BE-ne. Mark Rute e ka përmendur vazhdimisht Porto Romanon. Përtej retorikës propagandistike te Qeverisë dhe gatishmërisë politike të NATO-s për Porto Romanon, nga burime të sigurta kam mësuar se qeveria shqiptare NUK i ka paraqitur strukturave përgjegjëse për planifikimin e NATO-s asnjë propozim zyrtar për Porto Romanon.  Trajtimi diskriminues jo në përputhje ligjore të firmave franceze, italiane, holandeze e belge është një dëmtim i qëllimshëm i marrëdhënieve me këto vende dhe BE.  Gjatë takimit me Edi Ramën kryeministri holandez ia përmendi Porto Romanon në një mënyrë diplomatike, duke bërë sikur nuk kishte dijeni për problemet me tenderimin”, thuhet ndër të tjera në kallëzimin penal.

Nga Gazeta Sot