24 Dhjetor 2025

Nga Ferdinand Dervishi

Në vendimin e Gjykatës së Posaçme për masat e arrestit të të akuzuarve për tenderat e AKSHI-t, ka të paktën dy personazhe, të cilët akuzohen edhe si bashkëpunëtorë në vjedhjen e databazës së sistemit TIMS të Policisë së Shtetit – ngjarje e ndodhur më 2 gusht 2023.

E para, që shfaqet, është Ervina Gjana, Drejtore e Drejtorisë për Hetimet e Krimeve Kibernetike, e emëruar në këtë post pikërisht më 2 gusht 2023, pra në ditën e krimit.

Përfund njërës nga fotot, që gjenden në vendimin e gjykatës, shkruhet: Ergys Agasi: (flet ne telefon) O mo vlla, hë ça bën mirë je ti… mirë, mirë. Shiko tashi, do të vi ERVINA se do të bëhet një aksion për disa falsifikime…”

Ervina u katapultua në majë të Policisë së Shtetit, në postin e Drejtores për Hetimet e Krimeve Kibernetike, në kohën kur ministër ishte Taulant Balla dhe Drejtor i Përgjithshëm, Muhamet Rrumbullaku.

Sipas Taulant Ballës, Ervina ishte pjesë e një “ekipi të ri, brenda Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, që ka marrë përsipër, nga qershori 2023, një ndryshim tërësor të mënyrës së administrimit teknik dhe të sigurisë…”

Procedura e emërimit të Gjanës ishte, fund e krye, në shkelje të ligjeve për emërimet në Policinë e Shtetit. Gjithçka e shtypur me këmbë, nisur nga kushti kryesor – ajo kishte përfunduar studimet për “inxhinieri informatike”, ndërkohë që Drejtoria, për Hetimet e Krimeve Kibernetike, ishte një strukturë hetimore.

Në kuadër të hetimit të SPAK për tenderat e AKSHI-t, hetuesit e BKH-së vendosën të kontrollonin banesën e Ervina Gjanës dhe bashkëshortit të saj, Renato Hristiç. Ata kishin të dhëna të sakta se, bashkëshorti i Ervina Gjanës, ishte lidhje e Ergys Agasit, herë në rolin e shoferit personal, herë në ndonjë rol tjetër.

Po kështu, hetuesit kanë dyshime se, i njëjti personazh, pra Ergys Agasi, përmes Drejtores Gjana, vinte në lëvizje strukturat e hetimit kibernetik për të goditur biznese të ligjshme apo grupe kriminale rivale, me qëllim largimin e tyre nga veprimtaria ku ai, apo miq të tij, kishin interesa.

Për këtë arsye hetuesit kanë veçuar, apo zgjedhur, pjesën e përftuar nga videot, që Agasi i bënte vetes, ku thuhet: “Shiko tashi, do të vi ERVINA se do të bëhet një aksion për disa falsifikime”. Me vazhdimin, që nuk është në foto: “…dhe që të mos dali fjala, se dun me i plas mrena. Kupto ti, me kujdes…”

Pra, në rastin më të mirë, ne jemi para një dekonspirimi të vërtetuar të një aksioni policor, e dyta, jemi para rastit të ndarjes me dikë tjetër të një sekreti policor, e treta, mund të dyshohet se Agasi është i interesuar të goditet grupi, pasi mund të ketë qenë rival i tij, apo lidhjeve të tij në bisnese të pastra, apo të pista.

Personazhi i dytë, i historisë së vjedhjes së databazës së TIMS, që shfaqet në dosjen e tenderave të AKSHI-t, është Klodian Mazari, njëri nga civilët, të cilët, në 2 gusht 2023, u futën në brendësi të ambienteve të Policisë së Shtetit dhe operuan, gjatë e gjatë, për kopjimin e të dhënave të sistemit TIMS.

I njohur si lidhje e Ermal Beqirit – biznesmenit tjetër të shpallur në kërkim nga SPAK për tenderat e AKSHI-t – sipas të dhënave të dosjes, faqe 131, Klodian Mazari shfaqet si Kryetar i Komisionit të Shqyrtimit të Ankesave (KSHA) pranë AKSHI-t.

Sipas hetimit, Klodian Mazari dhe dy anëtarë të tjerë të këtij komisioni, kanë marrë në shqyrtim ankesën e kompanisë “Advanced Business Solution” të bisnesmetit Gerond Meçe, të njëjtit që u morr peng nga grupi kriminal që kishte privatizuar tenderat e AKSHI-t.

Po sipas hetimit, Klodian Mazari, dhe dy anëtarët e tjerë të Komisionit të Shqyrtimit të Ankesave, kanë sajuar një argument jo ligjor për të hedhur në kosh ankimimin e Kompanisë së Gerond Meçes.

Saktësisht “…arsyetimi ligjor i KSHA-së është haptazi i pabazuar, pasi nuk ka një bazë ligjore, apo referim në ndonjë normë ligjore konkrete…”

Përfundimisht mund të thuhet se shfaqja, e këtyre dy personazheve, në hetimet për tenderat e AKSHI-t, jo vetëm që bën më të besueshme akuzën se, njerëzit që vodhën databazës e sistemit TIMS kanë funksionuar si grup i strukturuar kriminal, por edhe faktin e dyshuar, se ata janë pjesë e një organizate më të madhe, dhe më të rrezikshme, të vjedhjes së të gjitha informacioneve, apo të dhënave sekrete, që ruhen në institucionet e shtetit tonë.