zef preci

10 Shtator 2022

Zef Preçi, ekspert i ekonomisë, e sheh vendimin e fundit për të konfiskuar ndërtimet pa leje si një aferë të re korruptive të qeverisë. Preçi thotë për gazetën “Panorama” se ky vendim bëhet për fushatë elektorale me synimin e qartë për të blerë zgjedhjet e ardhshme vendore.

Sipas tij, ky vendim shërben si mjet mobilizimi të militantëve, patronazhistëve, bizneseve vulnerabel për zgjedhjet e afërta lokale… Z.Preçi shprehet i sigurt se sekuestrimi i ndërtimeve pa leje do të ushqejë korrupsionin me lejet e ndërtimit, duke forcuar me tej pozitat korruptive të kryebashkiakëve dhe vetë kreut të qeverisë në dhënien e lejeve të ndërtimit. Eksperti i ekonomisë paralajmëron se po u krijohet mundësia bizneseve, banditëve, pushtetarëve, krimit të organizuar kombëtar e ndërkombëtar etj., të legalizojnë paratë e krimit përmes pagesës së disa qindarkave indulgjenca për buxhetin dhe për pasurimin e enturazhit qeverisës e blerjes së zgjedhjeve të ardhshme…

Z. Preçi, si e konsideroni vendimin e qeverisë për të konfiskuar ndërtimet pa leje? A përbën shkelje ligjore nisja e operacionit, ndërkohë që vendimi nuk është botuar ende në Fletoren Zyrtare dhe nuk ka hyrë në fuqi?

Edi Rama thjesht po përsërit vetveten. Nuk i ka mbetur gjë tjetër veçse të dalë sërish me sëpatë në dorë… Ne pamë zëvendëskryeministren Balluku që doli para qytetarëve dhe shpalli një vendim të çuditshëm të qeverisë për konfiskimin e kateve shtesë të pallateve, të cilat janë ndërtuar jashtë planit, do konfiskohen dhe do përdoren nga shteti për zyra apo në ndihmë të komunitetit. Por është një shkelje e hapur, pasi aksioni i qeverisë aktualisht bëhet për të zhvendosur vëmendjen nga skandalet e tjera si për shembull skandali i inceneratorëve.

Kujt i shërben ky operacion? Cilët janë përfituesit e këtij vendimi?

Qëllimi është fare i dukshëm, bëhet për fushatë elektorale. Shërben si mjet mobilizimi të militantëve, patronazhistëve, bizneseve vulnerabël për zgjedhjet e afërta…

Në çfarë mënyre?

Domethënë që nxit këta të fundit që të “kontribuojnë”… Thjesht po u krijohet mundësia bizneseve, banditëve, pushtetarëve, krimit të organizuar kombëtar e ndërkombëtar etj., të legalizojnë paratë e krimit përmes pagesës se disa qindarkave indulgjenca për buxhetin dhe për pasurimin e enturazhit qeverisës e blerjes së zgjedhjeve të ardhshme…

A ka shumë ndërtime të tilla?

Sot, në Shqipëri janë rreth 1/3 e ndërtimeve informale, që për një numër arsyesh të gjitha të ligjshme nuk mund të legalizohen kurrë. Bëhet fjalë për më shumë se 100 mijë ndërtime apo ndërtesa të tilla. Kjo e dhënë, sipas një audioregjistrimi të kreut të Kadastrës të rrjedhur në media tre a katër vjet më parë dhe të konfirmuar prej tij. Bëjnë përjashtim vetëm një pjesë e tyre, që me siguri paguan apo është pjesë e enturazhit të patronazhistëve, gëzon mbrojtjen e “të fortëve”, etj. Njëlloj si në operacionin ndërkombëtar të OFL (me kujton një film francez “Uniforma dhe manovra të mëdha”)…

Megjithatë, për ndërtuesit do ketë tri opsione, blerja e këtyre kateve shtesë, apo falja e tyre ndaj shtetit, ose rasti me ekstrem është konfiskimi”, madje edhe me efekt prapaveprues (edhe për ndërtimet e përfunduara në procesin e pajisjes me leje shfrytëzimi)…

Ky vendim mund të lexohet në mënyra të ndryshme. Ajo që mund të thuhet me siguri është se ky vendim sui generis i qeverisë do të ushqejë korrupsionin me lejet e ndërtimit, duke forcuar më tej pozitat korruptive të kryebashkiakëve dhe vetë kreut të qeverisë në dhënien e lejeve të ndërtimit. Nga ana tjetër, edhe sjellja e kompanive që zotërojnë sipërfaqe të tilla përtej lejeve të miratuara më parë apo të ndërtuara e të gatshme për shitje, pritet të ndryshojë mbas këtij vendimi. Kuptohet që këto kompani do të rritin artificialisht çmimet duke ushqyer kështu deformimin e mëtejshëm të tregut të pasurive të patundshme. Edhe kjo pasojë përkeqëson nivelin dhe cilësinë e jetesës së qytetarëve, në emër të të cilëve ndërmerret kjo masë rregullatore e qeverisë. Nuk po flas për konfliktet civile e gjyqësore për apartamentet e shitura/prenotuara apo pjesërisht të shitura/të kontraktuara në katet shtesë apo të paligjshme…

Pas konfiskimit të këtyre ndërtimeve pa leje, a besoni se ato vërtet do të përdoren nga shteti apo në ndihmë të komunitetit…?

Sa për premtimin që këto sipërfaqe do të përdoren nga shteti për zyra apo në ndihmë të komunitetit, kjo ngjan si një shaka rilindëse. Mjafton të kujtojmë sipërfaqet prej 3% të ndërtimeve mbi 2 mijë m2 që ligjërisht duhet t’i kalonin pushtetit vendor, por që Bashkia e Tiranës i avulloi duke i shndërruar në likuiditete që nuk dihet se ku shkojnë, por gjithsesi nuk u përdorën për të pastrehët apo për ambiente zyrash për administratën.

Administrata jonë publike, e zmadhuar me 25% gjatë 5 viteve të fundit, merr rregullisht pagën nga taksapaguesit shqiptarë. Atëherë përse kjo administratë nuk bën detyrën shtetërore për mbrojtjen e territorit, për garantimin e respektimit te ligjit dhe kondicioneve urbane?

Nuk duhet vënë në dyshim ky fakt (marrja rregullisht e pagës), sepse është e vërtetë. Por kjo administratë po funksionon thjesht si grup mbështetës patronazhistësh që paguhet me taksat e qytetarëve qyqarë shqiptarë.

A kanë dështuar institucionet që kanë lejuar ndërtimin e pallateve pa leje?

Padyshim, por shkeljet më të mëdha janë në zaptimin me ndërtime të çdo m2 dhe çdo shesh të lirë aq sa fëmijët në Tiranë nuk dinë të vrapojnë, aq sa prindërit shkojnë në 2-3 qendra tregtare sepse mungon jeshillëku…

Nga Valentina Madani