Divjaka bashki: – Këtu vendosim ne

28 Gusht 2026
Prej 28 ditësh, banorët e Divjakës vijojnë protestën në shesh, duke kundërshtuar projektin e reformës territoriale të propozuar nga Partia Socialiste.
Edhe mbrëmjen e së enjtes, qytetarët janë mbledhur për të shprehur kundërshtimin e tyre ndaj ndryshimeve territoriale, ndërsa kërkojnë që Divjaka të ruajë statusin e saj si bashki.
Gjatë protestës, banorët kanë kritikuar mungesën e mbështetjes nga të zgjedhurit vendorë dhe përfaqësuesit politikë të zonës.
Protestuesit kanë deklaruar se qytetarët duhet të tregohen më të kujdesshëm në zgjedhjet e ardhshme dhe të votojnë për ata që i përfaqësojnë dhe u qëndrojnë pranë në përballjen me problemet e komunitetit.
Në fund të protestës, qytetarët kanë vijuar marshimin në rrugët e qytetit, siç bëjnë çdo mbrëmje, duke shoqëruar lëvizjen me thirrje si: “Arrestoni Ramën”, “Divjaka bashki” dhe “Këtu vendosim ne”.
Protestuesit kanë bërë të ditur se do të vijojnë qëndresën edhe në ditët në vazhdim, në kundërshtim me projektin e reformës administrative.
