Ditmir Bushati

27 Dhjetor 2025

Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, ka deklaruar se kontributi i tij për Partinë Socialiste, të cilën e cilëson si familjen e tij politike, nuk do të mungojë sa herë që të kërkohet. Ai theksoi se pavarësisht vendimeve të marra ndaj tij, nuk ka asnjë synim për të bërë kapërcime politike.

I ftuar në emisionin “Now” në Euronews Albania, Bushati u shpreh se mos përfshirja e tij në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, si dhe largimi nga kryesia e PS-së, kanë qenë vendimmarrje personale të kryetarit të partisë, Edi Rama.

“Unë jam ende i ri për t’i thënë lamtumirë politikës. Ka qenë një vendimmarrje e kryesisë së partisë për të mos më përfshirë në zgjedhjet e 2021 dhe gjithashtu një vendimmarrje e kryetarit për të më larguar nga kryesia e PS-së. Spaletat janë të rëndësishme, por jo më të rëndësishme se karakteri i njeriut,” u shpreh Bushati.

Ai theksoi se nuk ka ndryshuar qëndrim politik dhe se vijon të jetë pjesë e së njëjtës forcë politike. “Unë jam aty ku kam qenë gjithmonë, nuk kam ndërruar organizatë politike,” shtoi ai.

Bushati kritikoi ashpër fenomenin e kalimeve nga një parti në tjetrën, duke e krahasuar me sportistë që ndërrojnë fanellat nga një klub në një tjetër. Sipas tij, Partia Socialiste mbetet familja politike të cilës i përket, me të mirat dhe të këqijat e saj.

“Kam menduar gjithmonë se disa gjëra duhen thënë brenda familjes politike, por edhe jashtë saj. Nuk i kam rënë askujt me gurë dhe për sa kohë të kem energji, do të vazhdoj të jap kontributin tim aq sa mundem,” përfundoi Bushati.