14 Shkurt 2024

Të moshuarit në vend do të duhet të presin muajin prill për të marrë ca para më tepër në pensionin e tyre mujor. Shtesa që ata do të marrin bazohet në ecurinë e deritanishme dhe parashikimet për vijimin për inflacionin.

Por sipas përllogaritjeve, nëse marrim një pensionist që në Shqipëri paguhet nga 8000-15000 lekë të reja në muaj, atij do i shtohet me 500 lekë të reja në muaj. Ministri i Financave Ervin Mete deklaroi pak javë më parë se po rishikohet skema e pensioneve dhe ajo e mbështetjes sociale.

“Kemi nisur punën me mbështetjen e Bankës Botërore, për të realizuar një vlerësim të shtyllave të mbrojtjes sociale. Pjesë e analizës vlerësuese, siç e kam theksuar edhe më herët, do të jetë edhe skema e pensioneve, me qëllim jo vetëm rritjen e qëndrueshmërisë së saj, por edhe për një shpërndarje më të drejtë të mbështetjes për kategoritë e pensionistëve”, ka thënë ai.

Gjithashtu ekspertët thonë se reforma e 2014-s e përmbushi misionin e saj dhe tani ka ardhur koha që të vendoset sistemi vetëkapitalizues i detyruar, ç’ka do të kërkojë një ndarje të kontributit në dy pjesë: një kontribut shoqëror që do duhet të përballojë sistemin aktual të pensioneve dhe një pjesë kontribut individual, që do derdhë në llogaritë e veta të fondit të pensioneve.

Lekët do të merren në bankë
Qeveria ka paralajmëruar që këtë vit, pensionistët do të kenë mundësi për të tërhequr pensionet në ATM, duke shmangur radhët e gjata në postë. Kështu, pensionistët nuk do ju duhet të hapin llogari bankare ku iu mbahet komision dhe as në pikat e postës, ku do duhet të rrinë në radhë.

Synohet që përmes një karte universale dhe përmes një investimi të rëndësishëm që do bëhet në pikat e shpërndarjes, në ATM-të e quajtura ndryshe, gjatë këtij viti, çdo pensionist do të shkojë dhe të tërheqë këto para pa pasur nevojë që të shkojë në bankë dhe të hapë një llogari duke paguar edhe komisione.

Me postën nuk i duhet të paguajë asnjë komision. Kujtojmë këtu dhe paralajmërimin e e kryeministrit Edi Rama në fund të vitit që kaloi. “Bankat mbeten shumë larg nevojës së ekonomisë. Eficenca e transaksioneve, pagesat direkte janë me metoda tradicionale. Qeveria duhet të fokusohet te inovacioni, faktikisht ne jemi në situatën kur ligji, jo unë, e ka të shkruar, që në janar të vitit 2023, duhet të ishte zbatuar nga të gjitha bankat e nivelit të dytë, aplikimi i protokolleve të open banking. Afat, ky i përsëritur”, tha ai.

Duke kujtuar që teknologjia e lejon tashmë, kreu i qeverisë kërkoi nga bankat që të “jenë në lartësinë e sfidës dhe të hapin dyert e teknologjisë.” Teksa i akuzoi se nuk po bëjnë përpara pasi “nuk duan që të prishin rehatinë”, Rama u kujtoi përfaqësuesve të bankave të nivelit të dytë: “Kjo është çështje e një prioriteti kombëtar të qeverisë. Duam të shikojmë ndryshim të shpejtë, të thellë, real. Këtë vit.”

Më konkretisht, qeveria kërkon nga bankat që brenda këtij viti, pensionistë të marrin pensionet përmes sistemeve të reja. Bizneset të shesin me këto sisteme. Dhe, që qarkullimi i CASH-it në vend të bjerë ndjeshëm.

“Duam ta bëjmë në mirëkuptim të plotë dhe në paqe, por do ta bëjmë,” shtoi kryeministri. Procesi pritet që të drejtohet nga Banka e Shqipërisë. “Të gjitha justifikimet, albite që vijnë nga prishja e një status quo-je të viteve me radhë, nuk do t’i tolerojmë”, tha ai. Nga ana tjetër, përfaqësuesit e bankave bënë të ditur se këto të fundit ndodhet në periudhë testimesh dhe se në qershor do të jenë të gjitha gati për të dalë “live” sa i takon “open banking”.